Si dështoi Raiffeisen Bank për të ruajtur paratë e qytetarëve! Dy punonjësit fusin duart në llogari
Një nga institucionet më të mëdha financiare në vend, që trumbeton me të madhe sigurinë e padepërtueshme dhe standardet ndërkombëtare, sapo mori një leksion poshtërues nga dy të rinj të apasionuar pas kompjuterëve. Përfaqësuesit e Raiffeisen Bank u detyruan të trokasin me kokën ulur në dyert e Policisë së Shtetit, jo sepse dikush u theu kasafortat e blinduara me mjete të rënda, por sepse zbuluan që sistemi i tyre i famshëm digjital paska një orar të thellë gjumi.
Ndërkohë që qytetarët e thjeshtë paguajnë komisione thuajse edhe për ajrin që thithin brenda degëve të saj, serverët e bankës rreth mesnatës kalonin në një modalitet të plotë letargjie. Inxhinieri Redjon Zaçi, si një “Kolomb” i defekteve kibernetike, vuri re një detaj qesharak për kohën tonë: pas një ore të caktuar, aplikacioni i bankës kthehej në një entitet bujar që nuk i thoshte “jo” askujt. Mjaftonte të jepej komanda për të transferuar para nga karta në kartë apo mes llogarive, dhe softueri i mirëpaguar as që merrte mundimin të kontrollonte nëse dërguesi kishte apo jo mbulim financiar.
Për ta kthyer këtë dështim monumental të sigurisë bankare në një “start-up” personal fitimprurës, Zaçi thirri në ndihmë shokun e tij, Eglind Mançja. Ky i fundit, duke pasur eksperiencë të mëparshme nëpër zyrat e mikrokredive si Kredo.al, e njihte mjaftueshëm mirë terrenin e lëvizjeve financiare. Të dy bashkë nuk e ngritën këtë skemë të izoluar, por mobilizuan rreth 40 persona të tjerë, të cilët u kthyen brenda natës në klientë “VIP” të një defekti absurd.
Këta individë, përmes llogarive totalisht të zbrazëta, nisën të transferonin dhe të tërhiqnin shuma të vogla, kryesisht nga 100 euro, duke shfrytëzuar sistemin e fjetur me qetësinë më të madhe. Transaksioni kryhej, paratë kalonin dhe banka e kuptonte se ishte bërë “dhurues vullnetar” vetëm disa orë më vonë, kur bilancet nuk përputheshin. Kështu, qindarkë pas qindarke e natë pas nate, ky rrjet dyshohet se arriti t’i shkaktojë bankës një dëm paraprak prej rreth 200 mijë eurosh.
Është vërtet tragjikomike se si një korporatë me protokolle sigurie që presupozohen të jenë hermetike, mposhtet kaq lehtë nga dy djem që thjesht i ranë derës së prapme dhe e gjetën hapur. Ky skandal nuk tregon vetëm aftësinë e dy të rinjve për të shfrytëzuar një dobësi të sistemit, por nxjerr në pah edhe brishtësinë e mekanizmave të sigurisë që bankat pretendojnë se ofrojnë.
Për ta mbajtur këtë operacion nën radar dhe për të mos rënë në sy, skema kërkonte që paratë të copëzoheshin në shuma të vogla, duke u shpërndarë nga llogaria kryesore në dhjetëra të tjera. Këtu hyri sërish në lojë Mançja. Duke njohur mirë “qelizat” e mikrokredive, ai kishte kontaktet e duhura për të gjetur njerëz të gatshëm që dorëzonin kartat e identitetit dhe hapnin llogari bankare kundrejt një pagese. Matematika ishte e thjeshtë: nëse përmes kësaj metode në një llogari kalonin 400 euro, 100 i merrte personi që bënte tërheqjen fizike, ndërsa pjesa tjetër ndahej mes organizatorëve. Kështu, portretet e dy protagonistëve, Eglind Mançja (majtas) dhe Redjon Zaçi (djathtas), u kthyen në simbolin e një skeme që, sipas hetimeve, arriti të shfrytëzonte një dobësi serioze në sistemin digjital të bankës.
Megjithatë, si çdo skemë që fryhet tepër, edhe kësaj i erdhi fundi kur llogarive nisi t’u vinte era e rëndë. Pasi zbuloi se serverët e saj ishin përdorur si ATM falas në orët e vona të natës, Raiffeisen Bank u zgjua nga gjumi dhe iu drejtua zyrtarisht Policisë së Shtetit. Me një listë prej më shumë se 40 personash të përfshirë në dorë, banka kërkon tani hetime të thella dhe arrestime për këtë skemë të ngritur në mesnatë, duke u përpjekur të paraqitet si viktimë e pafajshme e një mashtrimi të kurdisur mirë, kur në fakt dera e kasafortës kishte mbetur hapur nga vetë sistemi i saj.
Ironia më e madhe, megjithatë, nuk qëndron te mënyra se si u morën paratë, por te heshtja që ka rënë mbi këtë skandal. Policia hesht. Raiffeisen hesht. Dhe, mbi të gjitha, Banka e Shqipërisë hesht, sikur të mos ketë ndodhur asgjë në sistemin financiar të vendit. Kjo ngjarje meriton të tregohet dhe të ndahet hapur me publikun, qoftë edhe vetëm që qytetarët të rrinë zgjuar dhe të ruajnë kursimet e tyre, meqenëse rojet e sigurisë dhe vetë banka duket se kanë rënë në një gjumë të thellë digjital.Kontrast
Klientët e Raiffeisen Bank nuk gjejnë qetësi! Plasin vjedhjet e të dhënave
Levë e Rusisë! Alarm në Europë për Raiffeisen Bank, sanksionet në tavolinë
Sulmohen me SMS klientët e Raiffeisen Bank, reagon institucioni: Ja çfarë duhet të bëni
Raiffeisen, Intesa, OTP…/ Vodhën qytetarët duke fiksuar interesat
Lizandër Saraçi drejtori i Raiffeisen Bank në protestën kundër qeverisë
Raiffeisen Bank në Shqipëri! Realiteti që djeg vetëm arkivat por jo borxhet
EKSKLUZIVE/ Alarm te Raiffeisen Bank Albania, plasin SMS mashtruese! Siguri prej kartoni?
