U godit me plumb gome në sy gjatë protestës, 28-vjeçari Erjon Vishkulli i nënshtrohet operacionit
28-vjeçari Erjon Vishkulli, i cili u plagos me plumb gome në sy gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ende nuk dihet nëse i riu ka humbur shikimin në syrin e majtë.
Vishkulli mbeti i plagosur gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë. Pas incidentit, ai mori ndihmën e personave që ndodheshin pranë dhe u transportua drejt Spitalit të Traumës, ku mori trajtimin e nevojshëm mjekësor.
28-vjeçari është i njohur edhe për përfshirjen e tij në grupimin e tifozëve kuqezi, “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët kanë reaguar pas plagosjes së tij.
“Erioni, si dhe shumë djem të tjerë që nuk u mungon asgjë në jetën familjare, i dalin në ballë atdheut për një Shqipëri më të mirë. Shërim sa më të shpejtë. Lutemi për ty, vëlla”, thuhet në mesazhin e tifozëve.
Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, të paktën 13 persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në spitalet dhe poliklinikat e Tiranës pas protestës.

