Vodafone Albania ka prezantuar paketa të veçanta për pensionistët dhe të rinjtë, në kuadër të masave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës, shkruan InfoNews. Megjithatë, çmimet e ofertave të reja ngrenë pikëpyetje mbi përfitimin real për konsumatorët, pasi paketa për pensionistët kushton më shumë se oferta më ekonomike me parapagesë e operatorit.
Denar Biba krenohet, por a do i dëgjohet fjala nga One dhe Vodafone?
Vodafone Albania ka nisur të ofrojë paketa të posaçme tarifore për klientët mbi 62 vjeç dhe përfitime shtesë për abonentët e rinj, pas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës që u kërkonte operatorëve celularë të krijonin oferta më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18–23 vjeç.
Vendimi, i datës 24 korrik, parashikonte që të dy operatorët celularë të zbatonin masat brenda 90 ditëve. Por, ndërsa Vodafone ka prezantuar oferta të reja, çmimet e tyre ngrenë pikëpyetje nëse këto paketa përmbushin realisht synimin për t’u ofruar kategorive përfituese kushte më të favorshme.
Për klientët mbi 62 vjeç, Vodafone ofron një paketë me parapagesë me 100 minuta, 1 GB internet dhe 5 GB internet shtesë për përdorim vetëm të dielave, me çmim 900 lekë.
Një ofertë e ngjashme ofrohet edhe me paspagesë, përmes kontratës mujore. Ajo përfshin 100 minuta, 1 GB internet, 5 GB internet për të dielat dhe 500 SMS, me çmim 800 lekë në muaj.
Problemi qëndron te çmimi: paketa me parapagesë për pensionistët kushton 900 lekë, ndërsa oferta më ekonomike me parapagesë e Vodafone kushton 600 lekë në muaj. Kjo e fundit përfshin 50 minuta dhe 50 MB internet., shkruan InfoNews.al.
Pra, pensionistët duhet të paguajnë 300 lekë më shumë për paketën e posaçme, ose 50% mbi çmimin e ofertës bazë më ekonomike. Edhe pse paketa e re përfshin më shumë minuta dhe internet, kjo nuk e bën automatikisht atë më të favorshme për çdo pensionist, veçanërisht për ata që kanë nevoja të kufizuara komunikimi.
Në këtë kuptim, oferta e re duket se përmbush formalisht kërkesën për një paketë të dedikuar, por përfitimi ekonomik për konsumatorët mbetet i diskutueshëm. Një paketë e veçantë nuk është domosdoshmërisht edhe një paketë më e lirë.
Çështja merr rëndësi edhe për shkak të debatit mbi bazën ligjore të masave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas InfoNews.al Hetimi për tregun me pakicë të shërbimeve celulare nuk konstatoi shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, por Autoriteti vendosi gjithsesi detyrime ndaj operatorëve për krijimin e ofertave më të favorshme për kategori të caktuara konsumatorësh.
Në këto kushte, mbetet për t’u parë nëse edhe operatori tjetër do të prezantojë oferta të ngjashme dhe, mbi të gjitha, nëse paketat e reja do të sjellin një përmirësim të prekshëm të kushteve për pensionistët dhe të rinjtë, apo do të mbeten kryesisht ndryshime në strukturën e ofertave tregtare./InfoNews.al

