Vrasja e shqiptarit në Bruksel, hetuesit bien në gjurmët e autorëve
Hetuesit belgë dyshojnë se vrasja e një shtetasi shqiptar në Bruksel dhe ajo e oficerit të policisë Nordine El Talbi, të ndodhura me disa orë diferencë, mund të jenë kryer nga të njëjtët persona. Sipas gazetës belge “De Standaard”, pista e re doli pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Prokuroria e Brukselit kishte deklaruar fillimisht se nuk kishte prova që lidhnin dy ngjarjet.
Shtetasi shqiptar u qëllua mbrëmjen e 12 tetorit në Ixelles, pranë Parlamentit Europian. Sipas mediave belge, ndaj tij u qëllua shtatë ose tetë herë. Ai humbi jetën në korridorin e një pallati, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës. Viktima nuk rezultonte me precedentë penalë në Belgjikë. Burime të cituara nga mediat belge dyshojnë se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, të lidhur me përplasje në botën e drogës.
Pas të shtënave në Ixelles, autorët e dyshuar mendohet se grabitën një Volkswagen T-Cross në Tubize. Rreth mesnatës, oficeri El Talbi, 41 vjeç, dhe kolegët e tij e pikasën automjetin në zonën e Jette. Kur oficeri iu afrua për kontroll, nga brenda makinës u hap zjarr. El Talbi u godit në kokë dhe humbi jetën.
Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona. Ata u larguan në këmbë, duke lënë tri pistoleta pranë makinës.
Gjashtë persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve. Katër prej tyre, mes të cilëve një i mitur, u arrestuan jashtë vendit, tre në Almeria të Spanjës dhe një në Paris. Të katërt janë ekstraduar në Belgjikë, ndërsa dy të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët nga policia belge. Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e vrasjes së shqiptarit dhe për të verifikuar lidhjen mes dy ngjarjeve.

