Xhensila Kallaku dërgohet në gjyq për fshehje të të ardhurave, dyshohet për evazion fiskal mbi 6 milionë lekë
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasen Xhensila Kallaku, e akuzuar për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, të kryer më shumë se një herë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimi lidhet me transaksione në pasuri të paluajtshme, depozitime të konsiderueshme parash cash dhe burime financiare që, sipas organit të akuzës, nuk justifikohen plotësisht nga të ardhurat e deklaruara.
Gjatë hetimeve, Kallaku ka deklaruar se paratë e depozituara vinin nga të ardhurat e siguruara përmes koncerteve brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur i justifikonte këto të ardhura vetëm pjesërisht.
Referuar ekspertimit kontabël, për vitin 2023 dyshohet se është shmangur detyrimi tatimor në vlerën 2.417.311 lekë, ndërsa për vitin 2024 shuma arrin në 3.658.210 lekë.
Në total, detyrimi tatimor i përllogaritur si i shmangur për të dy vitet kap vlerën 6.075.521 lekë.
Prokuroria vlerëson se fshehja e të ardhurave është kryer në dy vite të ndryshme kalendarike dhe përbën dy episode të veçanta të veprës penale, të parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve, çështja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kujtojmë se dërgimi i çështjes për gjykim nuk përbën shpallje fajësie dhe prezumimi i pafajësisë mbetet në fuqi deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

