Tre shqiptarë në paraburgim në Mal të Zi, dyshohen për një seri vjedhjesh në Žabljak
Tre shtetas shqiptarë janë vendosur në paraburgim në Mal të Zi, pasi dyshohen për një seri vjedhjesh në zonën e Žabljakut.
Bëhet fjalë për tre persona, 38, 47 dhe 54 vjeç, të cilët dyshohen se kanë kryer vjedhje të rënda në bashkëpunim.
Gjykata Themelore në Pljevlja vendosi ndaj tyre masën e paraburgimit deri në 30 ditë.
Sipas hetimeve të policisë malazeze, të dyshuarit dyshohet se kanë vjedhur nga objekte të ndryshme në territorin e Žabljakut sharra elektrike, gjeneratorë, pajisje saldimi, telefona celularë, ora dhe sende të tjera me vlerë.
Policia dyshon se sendet e vjedhura do të transportoheshin drejt Shqipërisë, ku më pas do të shiteshin.
Njëri prej të dyshuarve, 38 vjeç, u arrestua në pikën kufitare Sukobin-Murićani teksa po tentonte të largohej nga Mali i Zi. Dy të tjerët u arrestuan në Žabljak.
Pas arrestimit, të tre u dërguan te prokurori kompetent në Pljevlja. Fillimisht ndaj tyre u caktua ndalimi për 72 orë, ndërsa një ditë më pas gjykata vendosi paraburgimin deri në 30 ditë.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa tre shtetasit shqiptarë dyshohen për veprën penale të vjedhjes së rëndë të kryer në bashkëpunim.

