SPAK për Ballukun: 400 milion € të manipuluar…ja si e ndihmuan 27 bashkëpunëtorët e saj
Të paktën 80 milionë euro dëm ekonomik i është shkaktuar shtetit shqiptar vetëm nga procedura e tenderimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Sipas hetimeve të SPAK, ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe vartësit e saj kanë fryrë volumet dhe kostot në dy preventivë të ndryshëm, duke krijuar një dëm të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.
SPAK dërgon në gjyq Belinda Ballukun dhe 27 persona të lidhur me të
Detajet janë bërë publike nga Prokuroria e Posaçme në njoftimin për shtyp për dërgimin në gjyq të njërës prej dosjeve më të rëndësishme të hetuara prej saj, atë ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë.
Tuneli i Llogarasë është një prej 10 tenderave që SPAK pretendon se janë manipuluar ndër vite nga Balluku. Në listën e prokurimeve të dyshuara të paracaktuara përfshihen edhe shtatë lotet e Unazës së Tiranës, loti 3 i rrugës Porto-Romano-Durrës, si dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol, në kohën kur këtë institucion e drejtonte ish-numri dy i qeverisë.
Sipas përllogaritjeve të Prokurorisë së Posaçme, vlera totale e tenderave të manipuluar dhe të paracaktuar kap shifrën e mbi 37 miliardë lekëve pa TVSH, që përkthehet në më shumë se 400 milionë euro me kursin aktual të këmbimit. Nëse kësaj shume i shtohet edhe TVSH-ja, vlera totale kalon 480 milionë euro.
Në njoftimin e tyre, prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi kanë paraqitur një analizë të detajuar për secilin prej tenderave, duke evidentuar një mënyrë të ngjashme veprimi në pothuajse të gjitha procedurat e prokurimit.
Sipas SPAK, Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës, ndiqte nga afër çdo fazë të tenderave, që nga shpallja e procedurës deri te njoftimi i fituesit, me qëllim favorizimin e kompanive të paracaktuara. Ndërkohë, vartësit e saj përcaktonin kriteret e tenderave në mënyrë të tillë që ato të përshtateshin me kompanitë që synohej të shpalleshin fituese, duke bërë që vetëm këto të fundit të mund t’i përmbushnin.
Për këtë arsye, ndaj Belinda Ballukut rëndojnë nëntë akuza për shkelje të barazisë në tendera. Ajo ka shpëtuar vetëm nga akuza që lidhej me rikonstruksionin e godinës së Albcontrol, për shkak të parashkrimit të veprës penale.
Megjithatë, këto nuk janë akuzat më të rënda që rëndojnë mbi ish-numrin dy të qeverisë. Balluku akuzohet gjithashtu për korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në lidhje me dy vila në bregdet, të cilat sipas SPAK kanë një vlerë të përllogaritur prej 1.8 milionë eurosh. Të dyja pronat janë vendosur nën sekuestro.
Prokuroria e Posaçme pretendon se vilat i janë dhënë Ballukut në këmbim të tenderave nga dy ndërtuesit, Pandeli Carapuli dhe Arbër Abazi.
Biznesmeni Arbër Abazi dhe kompania e tij, “Alko Impex General Construction”, rezultojnë fitues të tenderit të dyshuar si të manipuluar për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Madhe të Tiranës. Abazi, së bashku me kompaninë e tij, akuzohet për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, ai i ka dhënë Ballukut vilën në Palasë, me një vlerë prej 1.1 milionë eurosh.
Ndërsa ndërtuesi tjetër, Pandeli Carapuli, është marrë i pandehur së bashku me kompaninë e tij “Eurocol Construction” për pastrim parash, në lidhje me vilën tjetër të Ballukut, atë në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi. Kjo pronë ka një vlerë aktuale prej rreth 720 mijë eurosh.
Sipas hetimeve të SPAK, Carapuli ia ka dhënë këtë vilë ish-zv.kryeministres si ryshfet, në këmbim të një tenderi në kohën kur Balluku mbante detyrën e drejtoreshës së Albcontrol. Ndërtuesi nuk akuzohet për korrupsion aktiv, pasi vepra penale është parashkruar.
Të dyja vilat, sipas Prokurorisë, Balluku i ka fshehur përmes ish-futbollistit Igli Tare, i cili është marrë gjithashtu i pandehur për pastrim parash në dy raste.
Sa u përket të pandehurve të tjerë, 22 prej tyre janë ish-vartës të Ballukut. Bëhet fjalë për persona që, sipas akuzës, kanë bashkëpunuar në pothuajse të gjitha procedurat e tenderimit të dyshuara si të manipuluara. Mes tyre spikat Ervis Berberi, ndaj të cilit rëndojnë nëntë akuza për shkelje të barazisë në tendera, në të nëntë procedurat e dyshuara. Në listën e ish-drejtorëve të përfshirë në dosje janë edhe Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Mbi 10 persona janë marrë të pandehur për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, që konsiderohet një prej procedurave më të rëndësishme në këtë dosje. Përveç akuzave për shkelje të barazisë në tendera, në këtë rast janë ngritur edhe akuza për shpërdorim detyre. Mes të pandehurve ndodhet edhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Viola Haxhiademi.
SPAK shpjegon pse nuk kërkon sërish arrestimin e Ballukut
Ndryshe nga praktika e ndjekur në dosje të tjera, SPAK e shoqëroi dërgimin e çështjes për gjykim edhe me një komunikim të drejtpërdrejtë me gazetarët. Në një takim me dyer të mbyllura, kreu i SPAK, Klodjan Braho, së bashku me prokurorët e çështjes, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, dhanë shpjegime mbi hetimin dhe akuzat e ngritura.
Arsyeja e këtij komunikimi nuk ishte vetëm informimi mbi detajet e dosjes, por edhe sqarimi i qëndrimit të Prokurorisë së Posaçme përse nuk po paraqet në Kuvend një kërkesë të re për arrestimin e Belinda Ballukut, pavarësisht rëndimit të pozitës së saj penale.
Vetë kreu i SPAK, Klodjan Braho, lexoi përpara gazetarëve një raport të gjatë, ku argumenti kryesor lidhej me vendimmarrjen e mëparshme të Kuvendit. Sipas qëndrimit të tij, përmes votimit të deputetëve të mazhorancës, Kuvendi duket se i ka kufizuar mundësitë e Prokurorisë për të kërkuar sërish masën e arrestit ndaj ish-zv.kryeministres.
Braho bëri të ditur se, në refuzimin e parë gjatë pranverës, Kuvendi i kishte përcjellë SPAK-ut mesazhin se rëndimi i pozitës së Ballukut, përmes zgjerimit të akuzave penale, nuk përbënte një arsye të mjaftueshme për të paraqitur një kërkesë të re për arrestimin e saj.
Për këtë arsye, duke qenë se sipas vlerësimit të Prokurorisë së Posaçme kushtet mbeten të njëjta, SPAK ka vendosur të mos kërkojë sërish arrestimin e Ballukut. Kjo do të thotë se ish-zv.kryeministrja pritet ta vijojë përballjen me drejtësinë në gjendje të lirë, ndërsa çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Hetimet vijojnë edhe për tendera të tjerë
Megjithatë, problemet ligjore të ish-zv.kryeministres duket se nuk do të përfundojnë me këtë dosje, e cila tashmë është depozituar në GJKKO.
SPAK ka veçuar një tjetër fraksion hetimor, ku po verifikohen tendera të tjerë të dyshuar si të manipuluar, si dhe aktiviteti i ndërtuesve të tjerë apo i bashkëpunëtorëve që ende nuk janë identifikuar.
Kjo do të thotë se hetimet ndaj procedurave të prokurimit dhe personave të përfshirë në to mbeten të hapura, ndërsa dosja e dërguar për gjykim përbën vetëm një pjesë të hetimit më të gjerë të Prokurorisë së Posaçme.

