Përfundon në gjyq juristi i ASHK-së Andi Bajrami: Bëri përshesh mbi 3200 m² në Selitë dhe favorizoi “Al Development sh.p.k”
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen penale ndaj Andi Bajrami, jurist në ASHK-së, ndaj të cilit rëndon akuza e shpërdorimit të hetimeve.
Hetimet nisën në 2025 pas kallëzimit të administratores së shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k., nga ku rezultoi se juristi kishte fshirë shënimin kufizues të kontratës së sipërmarrjes nga kartela e pasurisë, që kjo shoqëri kishte lidhur me pronarët e tokës për zhvillimin e pasurisë me sipërfaqe 3250 m² në Selitë për zhvillimin e pronës në dëm të shoqërisë.
Pronarët e tokës lidhën me shoqërinë ‘Triumph Company’ një kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pasurisë, ku neni 4 përcakton se afati për realizimin e ndërtimit është tre vjet pas marrjes së lejes së ndërtimit. Kontrata është pasqyruar në dokumentacionin kadastral me shënim bllokimi në favor të shoqërisë “Triumph Company”. Shënimi siguronte pasqyrimin dhe mbrojtjen në regjistër të interesit kontraktor të shoqërisë mbi pasurinë objekt zhvillimi.
Nga aktet rezultoi se fshirja e këtij shënimi është kryer ngaAndi Bajrami, jurist pranë Drejtorisë Vendore të ASHK-së Vlorë, të cilit praktika për pasurinë në Tiranë i është caktuar me short elektronik. Fshirja u krye mbi bazën e kërkesës e pronarëve me pretendimin se shoqëria nuk e kishte zhvilluar pronën dhe njoftimit noterial që kjo familje i kishte drejtuar shoqërisë për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore. Pas këtij ndryshimi pronarët e tokës nënshkruan me një tjetër shoqëri “Al Development” sh.p.k.me administratore Mediola Sopiqoti një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pasuri.
Nga hetimet rezultoi se pretendimi për moszhvillimin e pronës nuk përbënte provë të përfundimit automatik të kontratës. Afati trevjeçar i nenit 4 fillonte nga marrja e lejes së ndërtimit dhe jo nga nënshkrimi i aktit. Juristi i ASHK-së nuk mund të zëvendësonte provën e zgjidhjes ligjore të kontratës me vlerësimin e tij mbi kohëzgjatjen e moszhvillimit të pronës.
Shtetasi Andi Bajrami., duke pranuar kërkesën e njëanshme të pronarëve dhe njoftimin noterial si bazë të mjaftueshme për fshirjen, ka hequr kufizimin pa bazën juridike që justifikonte këtë ndërhyrje. Fshirja ka cenuar interesin e ligjshëm të shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k. për ruajtjen e pozitës së saj të regjistruar dhe ka mundësuar vënien e së njëjtës pasuri në dispozicion të shoqërisë “Al Development” sh.p.k., nëpërmjet kontratës së re të sipërmarrjes. Veprimi i juristit ka sjellë dëmtimin e interesave të ligjshëm të shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k. dhe ka mundësuar disponimin kontraktor të pasurisë në favor të një subjekti tjetër.

