Nxirren me lopata milionat që ish-ministri i Orbanit i kishte fshehur në pyjet e Hungarisë
Pamje të pazakonta vijnë nga Hungaria, ku autoritetet kanë zbuluar miliona euro të fshehura në pyje, ndërtesa, depo fermash dhe banesa private, në kuadër të një hetimi për korrupsion që lidhet me ish-ministrin e Zhvillimit, Miklós Sesták.
Në videot e publikuara nga autoritetet shihen efektivët duke gërmuar me lopata në zona pyjore, ku dyshohet se ishin groposur shuma të mëdha parash. Në pamje të tjera dokumentohet sekuestrimi i pirgjeve me kartëmonedha, të gjetura në disa ambiente të ndryshme.
Sipas Shërbimit Kombëtar për Rimëkëmbjen dhe Mbrojtjen e Aseteve (NVVH), gjatë dy ditëve të kontrolleve, të zhvilluara të enjten dhe të premten, janë zbuluar para në vlerën e përgjithshme prej 17.7 milionë eurosh.
Në një deklaratë zyrtare, agjencia bëri të ditur se paratë ishin gjetur të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa dhe depo bujqësore, si dhe në banesa private. Një pjesë e tyre ishte vendosur edhe në një kasafortë të sigurisë së lartë, në një zonë të largët.
Sipas të dhënave të NVVH-së, shuma e sekuestruar përbëhet nga 5,071,632,000 forinta hungareze, 2,658,350 euro dhe 1,257,100 dollarë amerikanë.
Hetimi lidhet me Miklós Sesták, i cili mbajti postin e ministrit të Zhvillimit të Hungarisë nga viti 2014 deri në vitin 2018, gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Ai dyshohet për përfshirje në një skemë ryshfeti që lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur nga kompania shtetërore e transportit, të cilët dyshohet se janë blerë me çmime të fryra.
Sipas raportimeve, Sesták është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Ndërkohë, në kuadër të hetimeve të tjera për korrupsion, janë arrestuar edhe dy ish-ministra, si dhe vëllai i Viktor Orbán.
Zhvillimet vijnë pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku Peter Magyar fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. Kryeministri i ri është zotuar të hetojë rastet e dyshuara të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin gjatë administratës së mëparshme.
Pas publikimit të pamjeve të sekuestrimit të parave, Magyar reagoi duke deklaruar se njoftimi i agjencisë NVVH shënonte, sipas tij, “fundin zyrtar të mafias Fidesz-KDNP”, duke iu referuar dy partive që përbënin koalicionin e mëparshëm qeverisës.
Nga ana tjetër, Viktor Orbán nuk ka reaguar publikisht lidhur me sekuestrimin e fundit. Në deklaratat e mëparshme, ai i ka cilësuar hetimet ndaj personave të afërt me të si përndjekje politike, të motivuara nga synimi për ta vënë atë para drejtësisë.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet hungareze po përpiqen të zbardhin origjinën e shumave të mëdha të parave dhe lidhjet e mundshme të tyre me skemat e dyshuara të korrupsionit.

