Një konflikt i dyshuar për borxhe dyshohet se ka çuar në dhunimin e Mario Kolës në zonën e Velipojës, në Shkodër.
Sipas informacioneve paraprake, vëllai i tij, Vladimir Kola, 27 vjeç, i lindur në Shkodër, është larguar nga Shqipëria dhe ndodhet në Angli, pas një borxhi që dyshohet se u ka marrë personave ende të paidentifikuar.
Për shkak të këtij borxhi, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë marrë peng dhe dhunuar vëllain e tij të vogël, Mario Kolën. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në Velipojë, ku Mario Kola ka qenë duke kaluar në rrugë, kur është përballur me personat që e kanë dhunuar.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se e kanë përdorur këtë ngjarje për t’i përcjellë një mesazh vëllait të tij, Vladimirit, i cili ndodhet në Angli. Ata i kanë kërkuar Mario Kolës që t’i komunikojë të vëllait se duhet të kthejë shumën e parave të marra borxh, duke e paralajmëruar se, në të kundërt, situata mund të përshkallëzohet dhe pasojat mund të jenë edhe më të rënda.
Deri në këtë fazë, personat e dyshuar si autorë të ngjarjes mbeten të paidentifikuar, ndërsa rrethanat e plota të konfliktit dhe shuma e borxhit nuk janë bërë të ditura.

