Aplikuan dhe zhdukën, Kadastra kërkon 165 pronarë në Shkodër
Në kuadër të punës për trajtimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991 dhe për vijimin e procedurave për pajisjen me dokumentacionin përkatës, ekipet e ASHK-së po vijojnë verifikimet në zonën urbane të qytetit të Shkodrës.
Gjatë këtij procesi, për 165 aplikues nuk ka qenë i mundur kontakti me të dhënat e disponueshme. Për të mundësuar vijimin e procedurave, lista e subjekteve është bërë publike dhe është afishuar pranë Bashkisë Shkodër .
Çfarë duhet të bëjnë banorët?
Banorët që kanë paraqitur më parë kërkesë dhe identifikojnë emrin e tyre në listë, duhet të përditësojnë numrin e telefonit dhe të dhënat e kontaktit pranë zyrës së ASHK-së në Shkodër .
Përditësimi i të dhënave do t’u mundësojë ekipeve të ASHK-së vendosjen e kontaktit me subjektet dhe vijimin e procedurave për trajtimin e banesave përkatëse.
Puna në terren vijon në 11 lagje
Paralelisht me këtë proces, ekipet e ASHK-së vijojnë punën në terren në lagjet Tophan, Xhabije, Ndocej, Rus, Dërgut, Gjuhadol, Tom Kola, Skënderbeg, Perash, Arra e Madhe dhe Dragin , për trajtimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991.
Verifikimi në terren dhe bashkëpunimi me banorët janë pjesë e rëndësishme e procesit, pasi mundësojnë evidentimin e situatës faktike të banesave dhe vijimin e procedurave administrative sipas parashikimeve ligjore.
ASHK u bën thirrje 165 aplikuesve të identifikojnë emrin në listën e publikuar dhe të përditësojnë të dhënat e kontaktit, në mënyrë që procesi për banesën e tyre të mund të vijojë.

