Raporti që nxjerr ”lakuriq” Ministrinë e Arsimit: Pajisje të vdekura, pa siguri dhe pa auditimet IT
Tiranë – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në mënyrën se si Ministria e Arsimit qeveris, monitoron dhe kontrollon teknologjinë e informacionit. Raporti përfundimtar i auditimit, i kryer për periudhën 1 vjecare, përmban 9 gjetje dhe 9 rekomandime, duke nxjerrë në pah dobësi në planifikim, menaxhim risku, monitorim të institucioneve në varësi, marrëdhëniet me AKSHI-n dhe sigurinë e infrastrukturës teknologjike.
Pa plan të detajuar për digjitalizimin e arsimit
Një nga konstatimet kryesore të KLSH-së lidhet me Agjendën Digjitale të Shqipërisë 2022–2026.
Ministria e Arsimit është përcaktuar si përgjegjëse për një sërë ndërhyrjesh në digjitalizimin e arsimit, përfshirë zhvillimin e sistemeve të informacionit, lidhjen e institucioneve arsimore me GovNet, aftësitë digjitale, integrimin e TIK-ut në kurrikulë, trajnimin e mësuesve dhe zhvillimin e laboratorëve smart.
Por, sipas KLSH-së, në dokumentacionin e shqyrtuar nuk rezultoi një plan veprimi i detajuar, ku të përcaktoheshin objektivat konkrete, afatet, përgjegjësitë, burimet dhe treguesit e matshëm të performancës.
Sipas audituesve, mungesa e këtij planifikimi kufizon mundësinë për të ndjekur në mënyrë sistematike zbatimin e objektivave dhe për të identifikuar në kohë problematikat apo vonesat.
Ministria dhe AKSHI, pa marrëveshje të qarta për nivelin e shërbimit
Një tjetër pikë e fortë e raportit lidhet me marrëdhënien ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe AKSHI-t.
KLSH konstaton se marrëdhënia operacionale mes dy institucioneve nuk është formalizuar përmes marrëveshjeve të dokumentuara të nivelit të shërbimit, SLA.
Sipas raportit, këto marrëveshje duhet të përcaktonin qartë shërbimet që ofrohen, rolet dhe përgjegjësitë e palëve, afatet e reagimit dhe rikuperimit, standardet e disponueshmërisë dhe treguesit për matjen e performancës.
KLSH vlerëson se mungesa e një kuadri të tillë krijon paqartësi në ndarjen e përgjegjësive, vështirëson monitorimin e cilësisë së shërbimeve dhe rrit riskun që problematikat teknike të mos adresohen në mënyrë të qartë dhe të matshme.
Nuk kërkoheshin raporte periodike nga institucionet në varësi
KLSH ka konstatuar gjithashtu se Ministria e Arsimit nuk ka kërkuar dhe administruar në mënyrë periodike raporte nga institucionet në varësi që administrojnë sisteme informatike.
Bëhet fjalë për raporte mbi performancën, disponueshmërinë e sistemeve, incidentet teknike, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe realizimin e objektivave.
Sipas auditimit, mungesa e këtyre raporteve kufizon monitorimin institucional dhe vlerësimin e eficiencës së sistemeve, duke e bërë më të vështirë marrjen e vendimeve mbi bazën e një informacioni të plotë.
Alarmi tjetër: Ministria nuk ka regjistër të konsoliduar të risqeve TIK
Një tjetër konstatim i rëndësishëm është menaxhimi i riskut.
Sipas KLSH-së, Ministria e Arsimit nuk disponon një regjistër risku të konsoliduar ku të përfshihen edhe risqet e teknologjisë së informacionit. Po ashtu, audituesit thonë se nuk janë paraqitur evidenca të mjaftueshme për identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin periodik të këtyre risqeve.
KLSH e lidh këtë mangësi me rritjen e ekspozimit ndaj incidenteve teknologjike, ndërprerjes së shërbimeve, cenimit të sigurisë së informacionit dhe përdorimit joefektiv të burimeve publike.
Pajisje IT kanë kaluar “jetën”: serveri, storage dhe pajisja e sigurisë
Një nga gjetjet më konkrete të raportit lidhet me vetë pajisjet teknologjike të Ministrisë.
KLSH ka konstatuar se disa pajisje kanë arritur fundin e ciklit të jetës (EOL). Në raport përmenden konkretisht:
* Dell EMC PowerEdge R640, server;
* Dell EMC PowerVault ME4024, sistem storage;
* Sophos XG430, pajisje sigurie.
Sipas KLSH-së, këto pajisje paraqesin risk për vazhdimësinë e shërbimeve dhe sigurinë, për shkak të mundësisë së mungesës së mbështetjes teknike, përditësimeve dhe pjesëve rezervë. Audituesit e lidhin këtë situatë me kërkesat e standardit ISO/IEC 27001:2022 dhe praktikat e mira të qeverisjes së TI-së.
KLSH rekomandon hartimin dhe zbatimin e një plani për modernizimin e këtyre pajisjeve, me prioritete, buxhet dhe afate konkrete për zëvendësimin e serverëve, sistemeve të ruajtjes së të dhënave dhe pajisjeve të sigurisë.
Edhe rrjeti i brendshëm pa dokumentacion të përditësuar
Problematikat nuk ndalen te pajisjet.
Auditimi konstaton se Ministria nuk disponon dokumentacion zyrtar, të miratuar dhe të përditësuar që përshkruan arkitekturën e rrjetit, topologjinë, pajisjet dhe konfigurimet bazë.
KLSH e konsideron këtë në kundërshtim me kërkesat e ISO/IEC 27001:2022.
Faqja zyrtare, varësi nga infrastrukturë e administruar jashtë Shqipërisë
Një tjetër gjetje e raportit lidhet me platformën zyrtare arsimi.gov.al.
Sipas analizimit teknik të KLSH-së, faqja funksionon përmes një infrastrukture ndërmjetëse të administruar nga palë të treta jashtë Republikës së Shqipërisë, e cila përdoret njëkohësisht edhe nga disa faqe të tjera të sektorit publik.
KLSH thekson se kjo arkitekturë mund të ofrojë mekanizma të centralizuar të menaxhimit dhe mbrojtjes së trafikut, por krijon edhe varësi operacionale nga shërbime të përbashkëta të jashtme.
Në rast mosfunksionimi, gabimi konfigurimi, ndërprerjeje shërbimi apo incidenti kibernetik që prek këtë infrastrukturë të përbashkët, sipas raportit, mund të ndikohet drejtpërdrejt disponueshmëria dhe vazhdimësia e shërbimeve online të institucionit.
Dy vite pa auditime të TI-së nga Auditi i Brendshëm
Një nga konstatimet më të forta të raportit lidhet me vetë mekanizmin e kontrollit të brendshëm.
KLSH thotë se Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Arsimit nuk ka planifikuar dhe nuk ka kryer auditime në fushën e teknologjisë së informacionit gjatë periudhës 2024–2025.
Sipas raportit, kjo kufizon vlerësimin e efektivitetit të kontrolleve të TI-së dhe mundësinë për të identifikuar e adresuar në kohë dobësitë në sigurinë e informacionit, administrimin e sistemeve, menaxhimin e risqeve dhe vazhdimësinë e shërbimeve. KLSH e lidh konstatimin me kërkesat e ligjit nr. 114/2015 “Për Auditimin e Brendshëm në sektorin publik”.
Ministria kundërshtoi disa gjetje, por KLSH nuk i pranoi pretendimet
Ministria e Arsimit ka paraqitur observacionet e saj ndaj projekt-raportit. Ndër të tjera, institucioni argumentoi se për disa komponentë të digjitalizimit janë ndërmarrë masa dhe se sistemet TIK administrohen teknikisht nga AKSHI.
Por KLSH, në qëndrimin përfundimtar, nuk i ka konsideruar këto argumente të mjaftueshme për të ndryshuar gjetjet.
Për çështjen e administrimit nga AKSHI, KLSH thekson se edhe pse administrimi teknik kryhet nga AKSHI, Ministria mbetet pronare funksionale e proceseve që mbështeten nga këto sisteme dhe ka përgjegjësi për qeverisjen, monitorimin, identifikimin e risqeve dhe sigurimin e funksionimit efektiv të tyre.
Po ashtu, për menaxhimin e riskut, KLSH thotë se Ministria nuk paraqiti evidenca të mjaftueshme që të dokumentonin identifikimin, vlerësimin dhe monitorimin e risqeve të lidhura me TI-në.
KLSH: Duhet ndërhyrje, nga planet e digjitalizimit te pajisjet dhe kontrolli i riskut
Në përfundim, KLSH ka lënë 9 rekomandime, duke kërkuar ndër të tjera:
* hartimin e një plani të detajuar për zbatimin e masave të Agjendës Digjitale;
* përditësimin e rregullores së brendshme të Ministrisë;
* krijimin e një mekanizmi periodik raportimi nga institucionet në varësi;
* formalizimin e marrëdhënies me AKSHI-n përmes marrëveshjeve të nivelit të shërbimit;
* identifikimin dhe dokumentimin e risqeve të TIK-ut;
* modernizimin e pajisjeve që kanë përfunduar ciklin e jetës;
* vlerësimin e risqeve që lidhen me infrastrukturën e jashtme ku funksionon platforma online;
* dhe kryerjen e auditimeve të teknologjisë së informacionit nga Auditi i Brendshëm.
Në thelb, raporti i KLSH-së nuk ngre thjesht një problem teknik. Ai evidenton një problem më të gjerë qeverisjeje: Ministria e Arsimit, edhe pse mbetet përgjegjëse për funksionimin dhe monitorimin e proceseve që mbështeten nga teknologjia, sipas audituesve nuk ka ndërtuar mekanizma të plotë kontrolli, mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje për të garantuar sigurinë, vazhdimësinë, integritetin dhe efektivitetin e shërbimeve TIK./infonews.al

