Qarqet që rrezikohen, Alarm për përmbytje dhe rrëshqitje dherash
Alarm për përmbytje dhe rrëshqitje dherash, IGJEUM paralajmëron reshje intensive në disa qarqe të vendit
Shqipëria pritet të përfshihet nga reshje të dendura shiu gjatë së enjtes, më 26 nëntor, duke rritur rrezikun për përmbytje të lokalizuara, vërshime të shpejta të lumenjve dhe rrëshqitje të dherave.
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM), në buletinin e fundit për rreziqet natyrore, ka ngritur alarmin për disa qarqe të vendit, ku situata paraqitet më problematike për shkak të intensitetit të reshjeve.
Sipas parashikimit, rreziku për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave është më i lartë në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ndërkohë, përmbytje të lokalizuara mund të regjistrohen edhe në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër. Shkalla e problematikave do të varet edhe nga gjendja e sistemit të kanalizimeve.
Reshjet intensive pritet të ndikojnë gjithashtu në rritjen e prurjeve të lumenjve kryesorë dhe të mesëm, mes tyre Drin-Buna, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Semani dhe Vjosa.
Shkodra në qendër të motit të keq
Sipas IGJEUM, qarku i Shkodrës pritet të jetë më i prekuri nga reshjet e së enjtes.
Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive parashikohen në Kukës, Dibër dhe Lezhë. Në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në Elbasan dhe Fier ato do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Një tjetër element shqetësues është fakti se reshjet në të gjitha qarqet pritet të shoqërohen me shtrëngata.
Edhe pasditja e së mërkurës, më 25 nëntor, do të sjellë reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata. Në pjesën tjetër të vendit parashikohen reshje të dobëta.
Erë e fortë në zonat bregdetare
Përkeqësimi i motit do të shoqërohet edhe me forcim të erës. Gjatë së enjtes, era parashikohet të jetë mesatare në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa përgjatë vijës bregdetare do të arrijë intensitet të fortë deri shumë të fortë.
Sa i përket temperaturave, ato pritet të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore.
Parashikimi i Institutit të Gjeoshkencave përfshin periudhën deri në mesnatën e 26 nëntorit./Infonews.al

