Lajm për shoferët, ndryshojnë rregullat e sigurimit të makinave
Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme përmes një projektligji të ri të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, duke parashikuar rritjen graduale të kufijve të dëmshpërblimit, zgjerimin e mbulimit të sigurimit dhe përshpejtimin e procedurave të kompensimit për personat e dëmtuar në aksidente.
Sigurimi i detyrueshëm motorik është një nga produktet më të përhapura në tregun shqiptar, me rreth 1.2 milionë kontrata të lidhura çdo vit përmes MTPL-së së brendshme, Kartonit Jeshil dhe Sigurimit Kufitar.
Një nga ndryshimet kryesore që parashikon projektligji lidhet me rritjen e shumave minimale që shoqëritë e sigurimit duhet të mbulojnë në rast aksidentesh. Aktualisht, për autoveturat, kufiri minimal për dëmet ndaj personit është 75 milionë lekë për ngjarje dhe 32 milionë lekë për çdo person të dëmtuar, ndërsa për dëmet ndaj pronës është 15 milionë lekë për ngjarje.
Me ndryshimet e propozuara, këto vlera parashikohet të rriten fillimisht në 100 milionë lekë për dëmet ndaj personit për ngjarje, 45 milionë lekë për çdo person të dëmtuar dhe 20 milionë lekë për dëmet ndaj pronës.
Rritja do të kryhet në mënyrë graduale, me synimin që në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian të arrihen kufijtë minimalë të përcaktuar nga standardet evropiane: 6.45 milionë euro për dëmet ndaj personit për ngjarje, ose 1.3 milionë euro për çdo person të dëmtuar, si dhe 1.3 milionë euro për dëmet ndaj pronës për ngjarje.
Megjithatë, rritja e kufijve të mbulimit nuk do të thotë se çdo qytetar do të marrë automatikisht një dëmshpërblim më të lartë. Shuma që përfiton i dëmtuari do të vazhdojë të përcaktohet në bazë të dëmit real dhe kritereve ligjore të vlerësimit. Ndryshimi synon të garantojë mbulim më të madh financiar në aksidentet me pasoja të rënda.
Pasagjerët përfshihen shprehimisht në mbrojtjen e sigurimit
Një tjetër risi e projektligjit është përfshirja e shprehur e pasagjerëve në kategorinë e palëve të treta që përfitojnë nga sigurimi i detyrueshëm motorik. Ky parashikim synon të qartësojë mbulimin dhe të forcojë të drejtat e personave që dëmtohen gjatë aksidenteve rrugore.
Ndryshime parashikohen edhe në procedurat e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim. Projektligji forcon detyrimin e kompanive të sigurimit për të paraqitur oferta të argumentuara dhe përgjigje të arsyetuara brenda afateve ligjore.
Një element i rëndësishëm është detyrimi për të paguar shumën e ofruar nga kompania e sigurimit edhe në rastet kur personi i dëmtuar nuk e pranon ofertën ose nuk i përgjigjet asaj. Në këtë mënyrë, qytetari mund të përfitojë pjesën e ofruar të kompensimit pa pritur zgjidhjen e plotë të mosmarrëveshjes.
Projektligji parashikon gjithashtu rritjen e pragut për trajtimin e përshpejtuar të dëmeve ndaj pronës dhe të kufirit për përdorimin e Raportit Evropian të Aksidentit.
Mbrojtje edhe për aksidentet me mjete të pasiguruara
Reforma synon të përmirësojë edhe mbrojtjen e qytetarëve në rastet kur aksidenti shkaktohet nga mjete të pasiguruara ose të paidentifikuara, si dhe kur kompania e sigurimit përballet me likuidim apo falimentim.
Në këto situata parashikohet forcimi i mekanizmave të kompensimit përmes Byrosë Shqiptare të Sigurimit dhe Fondit të Kompensimit, me qëllim që personat e dëmtuar të mos mbeten pa mundësi për të kërkuar dëmshpërblimin.
Një tjetër ndryshim lidhet me integrimin e sistemit shqiptar të sigurimit motorik me mekanizmat përkatës të Bashkimit Evropian. Projektligji parashikon bashkëpunim ndërkufitar, përfaqësues të autorizuar për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, shkëmbim informacioni dhe funksionimin e Zyrës së Kompensimit në raport me institucionet homologe të vendeve anëtare.
Gjithashtu, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE synohet zbatimi i parimit të primit të vetëm, që do të mundësojë mbulim të sigurimit të detyrueshëm motorik në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian, pa pasur nevojë për sigurim shtesë për udhëtimet brenda tij.
Në tërësi, projektligji synon të ndryshojë mënyrën se si funksionon sigurimi i detyrueshëm motorik në Shqipëri, duke rritur përgjegjësinë financiare të kompanive, duke zgjeruar mbrojtjen e të dëmtuarve dhe duke përmirësuar procedurat e kompensimit. Efektiviteti i këtyre ndryshimeve do të varet nga zbatimi i tyre dhe aftësia e tregut për t’iu përshtatur standardeve të reja./infonews.al

