Avokatët mbrojtës të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri, pritet të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, që i rriti dënimin për dosjen “Metamorfoza”.
Prej muajsh jashtë shtetit, Olt Bistri drejt rekursit të dënimit në Gjykatën e Lartë
Sipas burimeve të InfoNews, mbrojtja pritet të kundërshtojë vendimin e Apelit, i cili e dënoi Bistrin me 11 vite burg, që me gjykim të shkurtuar konvertohen në 7 vite e 4 muaj burg.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se një prej tre anëtarëve të trupës gjykuese në Apelin e Posaçëm ka qenë kundër rritjes së dënimit për Oltion Bistrin, duke mbështetur lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.
Në vitin 2025, Gjykata e Posaçme e kishte dënuar Bistrin vetëm për veprën penale të zbulimit të akteve apo të të dhënave sekrete. Ndërsa Apeli e shpalli fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, duke ndryshuar kështu masën e dënimit.
Sipas përllogaritjeve të prokurorëve të SPAK, Bistrit i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 10 muaj e 14 ditë burg.
Ndërkohë, vendimi i Apelit riktheu edhe konfiskimin e pasurive të tij, konkretisht tre apartamenteve, dy dyqaneve dhe një shume prej 1 milion eurosh cash.
Ekzekutimi i vendimit të ri të gjykatës ende nuk është realizuar. Forcat e policisë nuk e kanë gjetur Bistrin në banesë, ndërsa sipas informacioneve ai ndodhet prej muajsh jashtë Shqipërisë.
Oltion Bistri u arrestua më 27 korrik 2023 dhe qëndroi në paraburgim deri më 18 nëntor 2025, kur u lirua me vendim të GJKKO-së, pasi koha e qëndrimit në paraburgim iu llogarit si e vuajtur në masën e parashikuar nga ligji.
Çështja ndaj tij lidhet me dosjen “Metamorfoza”, e cila zbuloi komunikimet dhe lidhjet mes biznesmenit Pëllumb Gjoka, drejtuesve të policisë dhe anëtarëve të grupit të Bajrave në Shkodër.

