Ku i çoi Sotiraq Filo paratë e investimeve për Korçën? KLSH: Mungojnë 61%…Bashkia e mbytur në borxhe
KLSH: 23 gjetje në Bashkinë Korçë, rritet borxhi tatimor dhe investimet realizohen vetëm 49%
Tiranë – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në administrimin financiar dhe buxhetor të Bashkisë Korçë për vitin 2025. Në raportin përfundimtar të auditimit financiar, KLSH konstaton gjithsej 23 gjetje dhe jep 26 rekomandime, të lidhura me menaxhimin financiar, realizimin e buxhetit, administrimin e të ardhurave, pasuritë publike dhe kontrollin e brendshëm.
Një nga problematikat kryesore lidhet me realizimin e investimeve. Sipas raportit, gjatë vitit 2025 buxheti i përgjithshëm u realizua në masën 79%, ndërsa investimet vetëm në 49%. Nga 418.005 mijë lekë investime të planifikuara, u realizuan 203.290 mijë lekë, duke mbetur pa u realizuar 214.715 mijë lekë. KLSH e lidh mosrealizimin me vonesat në procedurat administrative, mosrealizimin e financimeve dhe të ardhurave të parashikuara, si dhe shtyrjen e projekteve shumëvjeçare.
Një tjetër shqetësim i evidentuar është rritja e detyrimeve të prapambetura. Në fund të vitit 2024 Bashkia Korçë kishte 14.9 milionë lekë detyrime të prapambetura, ndërsa gjatë vitit 2025 u krijuan 61.17 milionë lekë detyrime të reja. Sipas auditimit, detyrimet progresive arritën në 76.07 milionë lekë, nga të cilat rreth 40.7 milionë lekë, ose 66.6%, lidhen me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Raporti ndalet edhe te borxhi tatimor, i cili vijon të jetë një prej problematikave më të mëdha të administrimit financiar. Borxhi tatimor progresiv u rrit nga 632.85 milionë lekë në fund të vitit 2024 në 668.44 milionë lekë në fund të vitit 2025, me një rritje prej rreth 35.59 milionë lekësh. KLSH vlerëson se masat e marra për arkëtimin e detyrimeve nuk kanë qenë të mjaftueshme për uljen e stokut të borxhit.
Edhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore nuk u realizuan sipas planit. Nga 1.238 miliardë lekë të planifikuara, u arkëtuan 891.1 milionë lekë, ose 72% e planit. Për taksat vendore, realizimi ishte vetëm 52% i planit. Ndër kategoritë me nivel të ulët realizimi renditen taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa mbi tokën bujqësore, taksa mbi truallin dhe taksa e ndikimit nga legalizimet.
Në mënyrë të veçantë, KLSH evidenton një detyrim prej 95.86 milionë lekësh nga taksa e tokës bujqësore, i cili është rritur me 13.2 milionë lekë krahasuar me vitin 2024. Gjatë vitit janë krijuar gjithashtu 10.641 familje debitore për këtë taksë.
Problem tjetër është administrimi i detyrimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë prej legalizimeve. Në fund të vitit 2025 rezultuan 374 debitorë me detyrim progresiv prej 24.36 milionë lekësh. Sipas KLSH-së, pavarësisht njoftimeve dhe urdhrave të bllokimit, nuk janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe efektive për arkëtimin e detyrimeve.
Raporti evidenton gjithashtu 45.72 milionë lekë kamatëvonesa dhe gjoba të llogaritura për pagesa të vonuara të detyrimeve tatimore dhe tarifave vendore.
Në fushën e parkimeve, auditimi ka konstatuar mosarkëtim të plotë të të ardhurave në vlerën 1.326 milionë lekë. Për gjashtë subjekte me aktivitet hotelier, KLSH ka konstatuar diferenca mes detyrimit për rezervimin 24-orësh të vendparkimeve dhe shumave të arkëtuara. Në pesë raste të tjera, kohëzgjatja e rezervimit ishte përcaktuar në 6–7 orë në ditë, në kundërshtim me përcaktimet e paketës fiskale.
KLSH ka konstatuar edhe mospërputhje në të dhënat për gjobat e Policisë Bashkiake. Sipas raportit, të dhënat e Policisë Bashkiake dhe Sektorit të Financës nuk ishin të rakorduara për vlerat e gjobave të vendosura, të arkëtuara dhe të derdhura në Thesar. Në një rast është evidentuar një diferencë prej 368.600 lekësh, për të cilën nuk është paraqitur argumentim dhe dokumentacion i mjaftueshëm.
Problematika janë evidentuar edhe në administrimin e pasurisë publike. Bashkia Korçë administron 2.222 prona, ndërsa 279 prona të pajisura me certifikatë pronësie nuk ishin regjistruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale. Po ashtu, 10 objekte të ujësjellës-kanalizimeve me vlerë totale 38.9 milionë lekë nuk ishin çregjistruar nga kontabiliteti, edhe pse duhej të ishin transferuar te shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë.
Në fushën e kontrollit të brendshëm, KLSH konstaton se nuk ishte ngritur Komiteti i Auditimit, ndërsa planifikimi vjetor i auditimit nuk ishte mbështetur plotësisht në analizën e riskut. Sipas raportit, në planifikim nuk ishin përfshirë disa procese me risk të lartë, mes tyre prokurimet publike dhe proceset që lidhen me lejet e ndërtimit dhe zhvillimit.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e një Kodi Etike institucional si dokument i veçantë, ndërsa rregullorja e brendshme e administratës nuk ishte harmonizuar plotësisht me strukturën organizative faktike të miratuar për vitin 2025.
Në përfundim, KLSH i ka rekomanduar Bashkisë Korçë një sërë masash për forcimin e menaxhimit financiar, përmirësimin e planifikimit buxhetor, rritjen e arkëtimit të taksave dhe tarifave, sistemimin e regjistrave të pasurive dhe forcimin e kontrollit të brendshëm. Ndër rekomandimet janë edhe ngritja e Komitetit të Auditimit, hartimi i Kodit të Etikës dhe marrja e masave për administrimin më efektiv të detyrimeve të prapambetura.

