Arrestohet Arben Voja, në hetim edhe biznesmeni i parkut fotovoltaik
Ish-drejtori i Kadastrës së Fierit dhe aktualisht drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është arrestuar në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Fierit për tjetërsimin e dyshuar të rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore.
Sipas hetimit, toka dyshohet se i është dhënë një biznesmeni për ndërtimin e një impianti fotovoltaik, përmes dokumenteve të falsifikuara. Ngjarja lidhet me periudhën kur Voja drejtonte Kadastrën e Fierit.
Për këtë çështje janë caktuar katër masa sigurie “arrest në burg”. Krahas Vojës, në hetim janë përfshirë edhe një ish-jurist i Kadastrës, një hartografe, një notere dhe punonjës të tjerë të institucionit.
Voja është ndaluar nga autoritetet dhe është marrë në pyetje nga dy prokurorë.
Biznesmeni që dyshohet se ka përfituar tokën për ndërtimin e impiantit fotovoltaik nuk është bërë publik me emër në informacionet zyrtare të publikuara deri tani.
Emri i Arben Vojës ishte përmendur edhe më herët në një kallëzim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në SPAK, në maj të vitit 2023, për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Në atë kohë, Kadastra pretendonte se veprimet e konstatuara i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej rreth 9.5 milionë lekësh.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Arben Vojën dhe gjashtë ish-punonjës të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër, nën dyshimin për shpërdorim detyre në lidhje me dhënien e lejeve mjedisore dhe mosmbledhjen e tarifave.
Hetimi i ri pritet të zbardhë mënyrën se si është përfituar toka shtetërore, rolin e zyrtarëve dhe punonjësve të Kadastrës, si dhe identitetin dhe përgjegjësinë e biznesmenit që dyshohet se ka përfituar nga kjo skemë.
Personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

