Ka marrë 1 milion euro cash…2 të tjera më vonë! përgjimet e SPAK të grupit kriminal për Samir Mane
Përgjime dhe komunikime të administruara nga SPAK në kuadër të një hetimi ndaj një grupi kriminal me 20 persona të përfshirë hedhin dyshime se biznesmeni Samir Mane mund të ketë marrë paraprakisht rreth 1 milion euro cash në kuadër të një marrëveshjeje për përfshirjen e tokës së Alfredo Hamzait në kompleksin rezidencial “Green Coast”.
Sipas materialeve hetimore, në shkurt të vitit 2021 është diskutuar pagesa e një shume që varionte nga 2 deri në 3 milionë euro, e cila, sipas dyshimeve të hetuesve, do të shërbente për sigurimin e lejes së ndërtimit dhe përfshirjen e pronës në projektin rezidencial. Në komunikime përmendet biznesmeni Samir Mane, ndërsa si ndërmjetës i mundshëm identifikohet Ilir Shtufi.
EKSKLUZIVE/ Përgjimet e SPAK! Pazaret në Green Coast: Samir Mane do 3 milion euro…
Një nga elementët më domethënës të dosjes lidhet me një bisedë të datës 27 shkurt 2021, ku personi nën hetim Artur Koçeku shprehet se “mund të na kërkojë i mili cash”. Nga analiza e komunikimit, SPAK ngre dyshimin se një pagesë paraprake prej rreth 1 milion eurosh mund t’i jetë dhënë tashmë Samir Manes.
Më herët, në një bisedë të datës 24 shkurt 2021, Artur Koçeku i komunikon Alfredo Hamzait se pas kontakteve me Ilir Shtufin dhe Samir Manen, këtij të fundit i kërkoheshin 3 milionë euro për të përfshirë tokën e Hamzait në kompleksin “Green Coast”.
Sipas analizës së hetuesve, palët dyshohet se kanë rënë dakord për pagesën e shumës së kërkuar. Dokumentet sugjerojnë se marrëveshja parashikonte ndërtimin e 40 vilave, ku 20% e tyre do t’i përkisnin Alfredo Hamzait.
Në materialet hetimore përmendet gjithashtu se Artur Koçeku kishte kërkuar ndërtimin e një hoteli me 120 dhoma, i cili sipas komunikimeve do të ishte në pronësi të tij dhe të Alfredo Hamzait.
Në një tjetër komunikim të datës 18 shkurt 2021, bashkëbiseduesit diskutojnë mundësinë e dhënies së një vlere prej 2 deri në 3 milionë eurosh Samir Manes me qëllim sigurimin e lejes së ndërtimit për projektin rezidencial në pronën e Alfredo Hamzait. Sipas dosjes, në projekt ishte planifikuar ndërtimi i rreth 30 vilave dhe një hoteli, ndërsa ndërmjetës në komunikimet me Manen dyshohet të ketë qenë Ilir Shtufi.
SPAK thekson në materialet hetimore se këto janë dyshime të bazuara në përgjime dhe komunikime të administruara gjatë hetimit, ndërsa verifikimi i plotë i fakteve dhe përgjegjësive mbetet objekt i procedurave në vijim.
