Corriere della Sera: 17 milionë euro pasuri në Dubai, ish-Miss Shqipëria dhe bosët shqiptarë të kokainës
Nga një periferi e Shkupit, ku klanet kriminale kanë ndërtuar prej vitesh bazat e tyre, te lagjja Gallaratese e Milanos dhe rezidencat luksoze të Dubait. Një investigim i gazetës italiane Corriere della Sera ndjek gjurmët e trafikantëve shqiptarë të kokainës, lidhjet e tyre me mafian kalabreze ’Ndrangheta dhe aftësinë për të drejtuar trafikun ndërkombëtar të drogës edhe nga vendet ku kanë gjetur strehim për t’iu shmangur drejtësisë.
Në qendër të investigimit është Eneo Carka, 44 vjeç, i njohur me nofkën “Napoleoni”, një personazh që hetuesit italianë e konsiderojnë me rrezikshmëri të lartë. Emri i tij lidhet me ngarkesa të mëdha kokaine të transportuara drejt Belgjikës, Britanisë së Madhe dhe portit italian të La Spezias.
Carka flet katër gjuhë: shqip, anglisht, italisht dhe spanjisht. Sipas gazetës, ai përdor mjete të sofistikuara komunikimi për të kufizuar mundësitë e përgjimit nga autoritetet.
Por lidhjet e tij shtrihen edhe në Milano. Drejtoria italiane e Antimafias ka identifikuar një shqiptar 46-vjeçar, banues në rrugën Chiarelli, në lagjen Gallaratese, i cili dyshohet se kujdesej për mbërritjen e ngarkesave të kokainës dhe kryerjen e pagesave.
Investigimi zbulon edhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes trafikantëve shqiptarë dhe ’Ndranghetës. Sipas Corriere della Sera, brezi i vjetër i mafies kalabreze i sheh me armiqësi klanet shqiptare. Madje, Rocco Morabito, një prej figurave më të njohura të saj, ka shprehur pakënaqësinë për fuqizimin e tyre në biseda të përgjuara nga Guardia di Finanza.
Ndryshe mendojnë mafiozët më të rinj, të cilët, sipas gazetës, kërkojnë bashkëpunimin me “Napoleonin”, duke e konsideruar një ndërmjetës të rëndësishëm në trafikun e kokainës.
Vetë Carka pretendon se ka kontakte të drejtpërdrejta me Dairo Antonio Úsugën, të njohur si “Otoniel”, ish-kreun e Kartelit të Gjirit në Kolumbi.
Klani i Sarajit dhe bosi që jeton në Dubai
Investigimi e nis rrugëtimin në Maqedoninë e Veriut, ku vëmendja përqendrohet te Saraji, një zonë periferike e Shkupit e përbërë nga disa fshatra.
Aty, sipas gazetës italiane, është konsoliduar një strukturë kriminale që i ka mbijetuar arrestimeve dhe operacioneve policore, duke u rigjeneruar vazhdimisht.
Figura kryesore e këtij klani është Sheval Muaremi, 49 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë urdhërarreste për vrasje, organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të kokainës.
Prej rreth dy vitesh, Muaremi jeton në Dubai, ku publikon edhe fotografi në rrjetet sociale. Sipas Corriere della Sera, ai vazhdon të menaxhojë nga distanca aktivitetet e tij, ndërsa pengesat në bashkëpunimin për ekstradimet me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vështirësuar përpjekjet për arrestimin e tij.
Për të përshkruar ndikimin e krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut, gazeta citon Xhelal Nezirin, drejtuesin e Institutit Ballkanik për Median dhe Demokracinë në Tetovë.
“Çdo shtet e ka mafien e vet, por tek ne shpesh krijohet përshtypja se është mafia ajo që ka në pronësi një shtet”, shprehet ai.
Denis Matoshi, ekstradimi në Belgjikë dhe pasuritë 17 milionë euro
Një tjetër emër që shfaqet në investigim është Denis Matoshi, 37 vjeç, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.
Matoshi kishte jetuar për një periudhë të gjatë në Dubai, përpara se autoritetet e Emirateve të pranonin ekstradimin e tij drejt Belgjikës, rreth një muaj përpara publikimit të investigimit.
Në Dubai ka mbetur ish-bashkëshortja e tij, Suada, ish-Miss Shqipëria dhe personazh i njohur i spektaklit shqiptar.
Sipas autoriteteve belge, të cituara nga gazeta italiane, ajo zotëron pasuri të paluajtshme në Emiratet e Bashkuara Arabe me një vlerë prej rreth 17 milionë eurosh. Gazeta shkruan gjithashtu për jetën e saj luksoze dhe festat që organizon në Dubai.
Investigimi i Corriere della Sera e paraqet Dubain si një pikë të rëndësishme qëndrimi për disa prej personazheve të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilët, pavarësisht hetimeve dhe urdhërarresteve në Europë, kanë arritur të jetojnë dhe të administrojnë interesat e tyre ekonomike nga Emiratet.
Nga Saraji i Shkupit te Gallaratese e Milanos, nga portet ku mbërrin kokaina te pronat miliona euroshe në Dubai, investigimi përshkruan një rrjet kriminal që nuk kufizohet më nga kufijtë kombëtarë dhe që, sipas hetuesve italianë, ka fituar një rol të rëndësishëm edhe në marrëdhëniet me mafian tradicionale italiane.

