“Vangjel Tavo më mori në qafë”/ 5-katëshi pa leje, dëshmia e policit për Kryebashkiakun e Himarës
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, u shfaq sa i nervozuar, aq edhe i dorëzuar, pasi në 9 gusht 2026, u zbulua një ndërtesë 5-katëshe pa leje në zonën e Qeparoit, shumë pranë Porto-Palermos.
Ai deklaroi se kishte vendosur të shkrinte Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë, pasi zona nuk kishte individë me kapacitetet e duhura profesionale e integritet personal që të merrnin përsipër këtë detyrë dhe do të kërkonte ndihmën e Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar që të zhvillonte funksionet e kontrollit të territorit.
“Vangjel Tavo më mori në qafë”/ 5-katëshi pa leje, dëshmia e policit për Kryebashkiakun e Himarës
Në dalje publike nga zyra e tij, Tavo u shfaq si një drejtues lokal që ndiente keqardhjen për abuzimin me tokën në qytetin bregdetar të Himarës.
Por, përtej kësaj fasade, dëshmia e një prej punonjësve të policisë, të arrestuar paraprakisht për “shpërdorim detyre” pas zbulimit të ndërtimit pa leje, tregon një panoramë disi më ndryshe. Një panoramë të zymtë, në të cilën nuk mbetet jashtë edhe kryebashkiaku Vangjel Tavo.
Klodian Petani, i cili ka mbajtur për disa muaj pozicionin e Specialistit të Krimeve në Komisariatin e Policisë së Himarës, tha para hetuesve se ka qëndruar për pak muaj në detyrë në Himarë dhe nuk ka pasur mundësi reale për të kontrolluar të gjithë territorin në atë njësi kohore.
Sipas tij, “ka dalë disa herë në kontroll territori me iniciativën e tij dhe për periudhën Maj-Qershor (2026) kujton se ka kryer rreth 15 referime për ndërtime pa leje”.
Konkretisht, ai thotë se “ka proceduar dy objekte banimi në Qeparo, si dhe një numër të caktuar ndërtimesh në Himarë, Vuno e Livadh”.
Zyrtari policore Petani beson se “si pasojë e procedimeve që kam bërë në zonën që mbuloja, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka dashur të më largojë nga kjo zonë”.

Në dosjen gjyqësore të siguruar nga “Boldnews.al” nuk citohen detaje të tjera mbi “ndërhyrjet e mundshme” apo “bezdisjet” e kryetarit të Bashkisë, Tavo, për zbulimin e ndërtimeve pa leje dhe as se kush ishin ndërtuesit e tyre.
Një pretendim i tillë i oficerit Petani, në mungesë të fakteve të tjera publike, mund të jetë edhe një “justifikim” i tij për të shmangur përgjegjësinë ligjore për mos-evidentimin e ndërtimit të 5-katëshit pa leje.
Si e ndërtoi hotelin 5 kat pa leje në Himarë bosi i BUJARI OIL, Lulzim Bujari
Megjithatë, përmendja e Vangjel Tavos nga një person nën hetim zyrtar, mund të mos jetë thjesht një rastësi.
“Zbulimi” i 5-katëshit pa leje
Paraditen e 9 gushtit, punonjës të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) njoftuan Komisariatin e Policisë së Himarës se kishin konstatuar një ndërtim pa leje 4-kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, me sipërfaqe të përgjithshme 1500 metra katrorë, në zonën e Qeparoit.
Në kantier u gjetën disa punëtorë, të cilët identifikuan si pronar të objektit shtetasin Lulëzim Bujari, me banim në Tiranë. Forcat e policisë arrestuan në flagrancë këtë të fundit, ndërsa më pas forcat e Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar shkatërruan godinën me eksploziv.
Në vijim, Salla Operative e Komisariatit të Himarës njoftoi kryeinspektorin ndërtimor të Himarës, Dorian Hoxha, që të paraqitej në polici, së bashku me vartësit e tij.
Por, si kryeinspektori, ashtu edhe zyrtarët e tij, Mateo Koshi dhe Andi Hoxha, nuk u paraqitën dhenë vijim u shpallën në kërkim policor.
Kryeinspektori Hoxha ishte arrestuar edhe rreth 3 muaj më parë, pas identifikimit të një ndërtimi pa leje në zonën e Himarës. Megjithatë, ai u lirua menjëherë nga gjykata, e cila konstatoi se arrestimi ishte i paligjshëm.

Ndërkohë, në veprim kishte hyrë edhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore, e cila kreu verifikimet mbi veprimtarinë e punonjësve të Policisë, të cilët kishin pasur për detyrë monitorimin e territorit.
Të dhënat e AMP-së konfirmuan se ndërtimi pa leje kishte nisur në dhjetor 2025. Mbi këtë bazë, agjentët identifikuan zyrtarët policorë përgjegjës për atë periudhë.
Ndër ta ishte shefi i Komisariatit, Ferit Merkaj, ish-shefi i Krimeve në Volum në Himarë, Emiljano Prenga, aktualisht në të njëjtin funksion në komisariatin e Divjakës, punonjësi Specialist i Zonës, Redin Çaushaj dhe specialisti i Krimeve, Klodian Petani, aktualisht me të njëjtën detyrë në Vlorë.
Fillimisht, Ferit Merkaj dhe Klodian Petani nuk arritën të shoqëroheshin në momentin e parë, pasi kishin fikur telefonat. Ata u shpallën në kërkim policor. Pak ditë më pas, ish-shefi i komisariatit, Ferit Merkaj, u vetëdorëzua tek kolegët e tij.
Nga verifikimet e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore rezultoi se të katër punonjësit dyshohet se me veprime ose mosveprimet e tyre kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në aktet e AMP-së thuhet se “katër punonjësit e mësipërm të policisë kanë qenë në detyrë në kohën kur është kryer ky ndërtim dhe se nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e tij”.
Në dokumentat zyrtarë theksohet se “ata nuk e kanë konstatuar atë, pavarësisht se ndërtimi ka filluar në muajin dhjetor 2025 dhe ka vijuar deri në konstatimin e tij, më datë 9.8.2026, si dhe se nuk kanë pasur asnjë informacion për ndërtimin që po bëhej fakt, çka tregon se nuk kanë kryer asnjë kontroll territori në zonën përkatëse, ndonëse sipërfaqja që ndërtohej ishte shumë e madhe, rreth 1500 metra katrorë, vendi ndodhej në një zonë që konstatohejedhe me sy nga rruga nacionale Himarë-Qeparo dhe deri tek objekti kishte edherrugë të shtruar me beton të ri”.
Në vijim, gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi ndaj tyre masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sa herë e ka takuar kryebashkiaku Vangjel Tavo, Lulzim Bujarin ?
Vangjel Tavo “shkrin” IMT-në, pasi lejuan një ndërtim 5-katësh pa leje në Himarë
