Si u tentua të vritej Eduart Mullaj në mes të Athinës
Një 55-vjeçar shqiptar është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm në zonën e Patissias, në Athinë, pas një sulmi që dyshohet se mund të ketë qenë një tentativë për vrasje.
Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e rrugëve Vroutou dhe Themou Annino, ku dy persona që udhëtonin me një motoçikletë hapën zjarr ndaj shqiptarit, i cili po dilte nga banesa e tij. 55-vjeçari, i identifikuar si Eduart Mullaj, mbeti i plagosur në këmbë dhe u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas dëshmisë së tij para policisë, autorët tentuan t’i vidhnin motorin dhe e qëlluan pasi ai reagoi ndaj tyre. Megjithatë, ky version nuk konsiderohet bindës nga autoritetet greke, të cilat po hetojnë edhe motorin e të plagosurit si pjesë të hetimit.
Policia u njoftua nga vajza e Mullajt, e cila e gjeti të atin gjysmë të zhveshur dhe të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak.
Një dëshmitar i ngjarjes tha se kishte parë dy persona me helmeta duke u larguar nga vendi me motor.
“Pashë të shtënat, ata qëllonin poshtë, drejt tokës, dhe ndoshta një plumb bëri rikoshet. Pashë dy persona me helmeta që largoheshin nga vendi i ngjarjes dhe më pas pashë të plagosurin të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak”, deklaroi ai.
Në rrugë janë gjetur gjurmë gjaku rreth 10 metra larg banesës së shqiptarit, ndërsa vendi ku dyshohet se ndodhi sulmi ndodhet rreth 20 metra më larg.
Një tjetër banor i zonës dëshmoi se, pak para të shtënave, kishte dëgjuar një grup prej katër ose pesë të rinjsh duke u grindur dhe duke folur me zë të lartë.
Sipas tij, fillimisht u dëgjua një e shtënë, rreth 10 sekonda më vonë një e dytë dhe pas rreth 30 sekondash edhe një e tretë. Banori nuk përjashtoi mundësinë që grupi i të rinjve të ketë qenë thjesht duke kaluar rastësisht në atë zonë.
Në vendngjarje janë gjetur tri gëzhoja dhe një plumb. Autorët u larguan me motor dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Policia greke po heton të gjitha pistat për të përcaktuar motivin e sulmit dhe rrethanat e sakta të plagosjes së 55-vjeçarit shqiptar.

