Nga Posta e Durrësit te SPAK, hetuesit kërkojnë të gjejnë 700 mijë eurot e zhdukura, ja lidhja e deputetes Etleva Budini.
SPAK merr në dorë dosjen e 69 milionë lekëve të zhdukura nga Posta e Durrësit. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal për zhdukjen e 69 milionë lekëve të rinj nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës, pas shpalljes së moskompetencës nga Prokuroria e Durrësit.
Këtë të enjte, më 19 nëntor, në SPAK është zhvilluar shorti për caktimin e prokurorit që do të marrë në shqyrtim dosjen.
Kalimi i çështjes në Prokurorinë e Posaçme lidhet me dyshimet se përvetësimi i shumës, e cila kap vlerën e rreth 700 mijë eurove, mund të jetë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas burimeve, hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj ish-zyrtarëve, përfshirë persona që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar për emra konkretë.
Ngjarja u zbulua pas një kontrolli të brendshëm të Postës Shqiptare. Gjatë verifikimeve rezultoi se në muajt prill dhe maj të këtij viti, 69 milionë lekë ishin regjistruar si transferta drejt degëve të Postës në Shijak dhe Krujë, por shumat nuk kishin mbërritur në destinacion.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, bëhet fjalë për 11 mandat-pagesa. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar lëvizjen e shumave të parave nga arka në drejtim të zyrave të drejtuesve të filialit.
Për këtë çështje janë arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.
Në kuadër të hetimit është ngritur gjithashtu dyshimi për përfshirjen e deputetes së Partisë Socialiste, Etleva Budini, e cila më herët ka drejtuar Postën Shqiptare në Durrës. Për këtë pretendim, deri në këtë fazë, nuk ka një konfirmim zyrtar të përgjegjësisë penale.

