A do kalojë në gjykim? Pritet vendimi për Ballukun, ja kush janë 27 bashkëpunëtorët, manorva me 400 milion euro.
TIRANË – Atalanta Zeqiraj është caktuar gjyqtare e seancës paraprake për dosjen e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe 27 të pandehurve të tjerë. Dosja është dërguar për gjykim nga SPAK dy ditë më parë dhe tashmë është gjyqtarja Zeqiraj ajo që do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do t’i kthehet SPAK-ut për plotësim të hetimeve.
Sipas SPAK, në dosjen e hetimit janë evidentuar manipulime në 10 procedura tenderimi, me një vlerë totale prej rreth 400 milionë eurosh pa TVSH. Bëhet fjalë për tenderin e Tunelit të Llogarasë, 7 lotet e Unazës së Tiranës, Lotin 3 të rrugës Porto-Romano–Durrës, si dhe tenderin për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol.
Vetëm për tenderin e Tunelit të Llogarasë, SPAK vlerëson një dëm ekonomik prej rreth 80 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit.
Sipas akuzës, Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës, ndiqte procedurat e tenderëve nga momenti i shpalljes deri në përzgjedhjen e fituesit, ndërsa vartësit e saj përshtatnin kriteret e tenderëve me synimin për të favorizuar kompani të paracaktuara.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë në 9 raste, pasi për tenderin e Albcontrol vepra penale është parashkruar. Ndaj saj janë ngritur gjithashtu akuza për korrupsion në dy raste, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, lidhur me dy vila të sekuestruara në Palasë dhe Dhërmi, me një vlerë totale prej rreth 1.8 milionë eurosh.
Në mesin e të pandehurve janë edhe 22 ish-vartës të Ballukut, mes tyre Ervis Berberi, i akuzuar për shkelje të barazisë në 9 tenderë, si dhe ish-drejtorët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Sipas SPAK, ndërtuesit Arbër Abazi dhe Pandeli Carapuli dyshohet se ia kanë dhënë Ballukut vilat në këmbim të tenderëve. Ndërkohë, ish-futbollisti Igli Tare akuzohet për pastrim parash në dy raste, pasi, sipas hetimeve, dy vilat dyshohet se janë fshehur në emër të tij.
Tashmë, vendimi i gjyqtares Atalanta Zeqiraj do të përcaktojë fatin e dosjes: nëse ajo do të kalojë për gjykim apo do t’i rikthehet SPAK-ut për plotësimin e hetimeve.

