Ky është Arilen Ndoci, bashkë me Mirgen Dokun grabitën rezidencën e Princit William dhe Kate
“The Telegraph” publikon foton e shqiptarit të akuzuar për grabitjen në rezidencën e Princit William dhe Kate
Gazeta prestigjioze britanike “The Telegraph” ka publikuar fotografinë e Arilen Ndocit, 32-vjeçarit shqiptar që akuzohet për përfshirje në grabitjen e rezidencës mbretërore Anmer Hall, ku jetojnë Princi William dhe Princesha Kate.

Ndoci dyshohet se ka kryer vjedhjen së bashku me bashkëkombësin e tij, Mirgen Doku, 34 vjeç. Sipas akuzës, dy shqiptarët kanë hyrë të hënën në mbrëmje në rezidencën që ndodhet në pronën mbretërore Sandringham.
Të dy të dyshuarit dolën të mërkurën përpara Gjykatës së Magjistratëve në Norwich, ku akuzat iu komunikuan përmes një përkthyesi të gjuhës shqipe.
Sipas prokurorisë britanike, Ndoci dhe Doku dyshohet se kanë hyrë në ndërtesë duke u ngjitur në një tub kullimi. Nga rezidenca raportohet se janë marrë gjashtë palë mansheta dhe një orë. Mes sendeve të vjedhura dyshohet se ndodhen edhe manshetat që i përkisnin Dukës së Edinburgut.
Kush janë dy grabitësit Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci që ngritën në këmbë Anglinë
Ngjarja aktivizoi një operacion të gjerë sigurie, pasi një punonjës i pronës mbretërore konstatoi praninë e dy personave të dyshimtë. Policia britanike angazhoi qen nuhatës, dronë dhe një helikopter për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Të dy shqiptarët u arrestuan më vonë. Një detaj që u bë publik gjatë seancës gjyqësore ishte se ata u gjetën pa këpucë në momentin e arrestimit.
Në kohën kur dyshohet se ndodhi grabitja, Princi William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre nuk ndodheshin në Anmer Hall, por në rezidencën e tyre kryesore në Windsor.
Pallati Kensington nuk ka bërë ende një koment zyrtar lidhur me ngjarjen.
Arilen Ndoci dhe Mirgen Doku ndodhen në paraburgim, ndërsa çështja do të vijojë në rrugë gjyqësore. Të dy konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./infonews.al

