Shqipëria nis projektin e pyllëzimit me dronë, mijëra hektarë pyje në fokus të restaurimit
AKZM: Do mbjellim pyjet me dron! 700 mijë kapsula në Dajt, Lurë dhe Hotovë
Shqipëria po përgatitet të përdorë dronët për restaurimin e pyjeve të dëmtuara nga zjarret, duke zëvendësuar në zona të vështira malore mbjelljen tradicionale me fidanë me shpërndarjen ajrore të kapsulave biologjike me fara.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka hartuar një projekt pilot që përfshin 136,74 hektarë në tre parqe kombëtare: Malin e Dajtit, Lurë – Mali i Dejës dhe Bredhi i Hotovës – Dangëlli.
Sipas dokumentacionit të prokurimit, në këto sipërfaqe parashikohet të shpërndahen nga 513 mijë deri në 684 mijë kapsula biologjike. Përveç farave, kapsulat do të përmbajnë materiale të posaçme për ruajtjen e lagështisë, mbrojtjen e tyre dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për mbirje.
Operacioni do të realizohet me dronë të pajisur me sisteme të avancuara navigimi satelitor. Fillimisht, terreni do të hartëzohet në mënyrë digjitale për të përcaktuar sipërfaqet ku do të kryhet ndërhyrja. Më pas, kamerat multispektrale dhe termale do të përdoren për të monitoruar zhvillimin e bimësisë dhe rezultatet e procesit të restaurimit.
Sipërfaqja më e madhe e projektit ndodhet në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, me 87,5 hektarë. Në malin e Priskës parashikohet ndërhyrja në 75,6 hektarë, ku rigjenerimi natyror pas zjarreve vlerësohet pothuajse inekzistent në pjesën më të madhe të zonës së dëmtuar.
Në Parkun Kombëtar të Lurës do të trajtohen mbi 38 hektarë, ndërsa në Bredhin e Hotovës parashikohet restaurimi i 11 hektarëve të tjerë.
Për rikthimin e mbulesës pyjore janë përzgjedhur disa specie, mes tyre pisha e zezë, ahu, bredhi, arrneni dhe panja e malit.
Përdorimi i dronëve për pyllëzim është testuar më herët edhe në rajonin e Korçës, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD).
Me projektin e ri synohet që kjo teknologji të kthehet në një model institucional, i cili mund të shtrihet edhe në zona të tjera të mbrojtura të Shqipërisë. Rezultatet e fazës pilot do të jenë vendimtare për vlerësimin e efektivitetit të metodës, veçanërisht në terrenet malore ku mbjellja tradicionale është më e vështirë për t’u realizuar.

