Grabitja te Rraiffeisen Bank, autori me skuter! I drejtoi armën rojes dhe mori paratë te arka.
Një grabitje me armë zjarri është regjistruar në një filial të bankës Raiffeisen, në zonën e Komunës së Parisit, pranë kompleksit Kika në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, në grabitje ka vepruar një person i vetëm, i cili ka hyrë në ambientet e bankës i pajisur me skafandër të zezë.
Autori dyshohet se ka qenë duke lëvizur me një skuter. Pasi ka hyrë në bankë, ai i ka drejtuar armën e zjarrit rojes së sigurisë dhe më pas ka marrë një shumë parash nga arka.
Pas kryerjes së grabitjes, personi është larguar me skuter, duke humbur gjurmët.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për shumën e parave të marra gjatë grabitjes apo për persona të lënduar.

