Vjedhja e fondeve IPARD, SPAK drejt arrestimeve, thellohen hetimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thelluar ndjeshëm hetimet lidhur me dyshimet për abuzime me fondet e programit IPARD II, ndërsa burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se gjatë verifikimeve paraprake janë konstatuar shkelje masive.
Sipas burimeve, hetimet kanë evidentuar dyshime të forta për shpërdorim detyre, shkelje të procedurave ligjore dhe vjedhje fondesh, në kuadër të menaxhimit dhe përfitimit të granteve nga programi IPARD II. Bëhet fjalë për skema të dyshuara abuzive në aplikime, miratime projektesh dhe disbursim fondesh.
Abuzimet me fondet IPARD/ Identifikohen 82 përfitues në shkelje, 17 refuzojnë të kthejnë paratë
SPAK ka konfirmuar zyrtarisht se ka regjistruar procedim penal dhe se çështja ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, por pa dhënë detaje për emra konkretë apo datën e regjistrimit, për shkak të sekretit hetimor.
Burimet shtojnë se po verifikohet dokumentacion i gjerë financiar dhe administrativ, ndërsa nuk përjashtohet zgjerimi i hetimeve dhe përfshirja e personave të tjerë përgjegjës në nivele të ndryshme vendimmarrëse.
Programi IPARD II, i financuar nga Bashkimi Europian për zhvillimin rural, ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të dyshimeve për abuzim me fondet publike, ndërsa thellimi i hetimeve nga SPAK pritet të hedhë më shumë dritë mbi përgjegjësitë konkrete.
Komisioni Evropian pezulloi fondet e programit IPARD II për bujqësinë shqiptare në gusht 2023, pas hetimeve nga zyra kundër mashtrimit (OLAF) që zbuluan keqpërdorime, korrupsion dhe ndërhyrje politike. Ky bllokim ndikoi në vonesat për fillimin e programit të ri IPARD III, i cili parashikon 112 milionë euro mbështetje.
Arsyeja e Pezullimit: Hetimet e OLAF pas denoncimeve zbuluan korrupsion dhe favorizime në menaxhimin e fondeve të IPARD II nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Statusi: Ndërsa fondet ishin të pezulluara, në qershor 2025 pati rikthim të delegacionit të BE-së për të analizuar raportet e monitorimit dhe masat e marra nga institucionet shqiptare.
Pasojat: Fermerët kanë pritur zhbllokimin e fondeve të IPARD III për të financuar infrastrukturën rurale, agro-përpunimin dhe agro-turizmin.
Autoritetet shqiptare (Ministria e Bujqësisë) janë angazhuar për menaxhimin dhe monitorimin e duhur për të zhbllokuar fondet.

1 Koment
Pingback: SPAK, gati prangat për hajdutët e fondeve IPARD - SkyWeb.al