Veliaj reagon nga burgu: Kam më shumë dinjitet se Rama! Sfidoj Kryeministrin.
Erion Veliaj ka reaguar nga burgu pas publikimit të pretendimeve për një takim me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, ku ky i fundit dyshohet se i ka përcjellë mesazhe dhe presione në emër të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë të shoqëruar me një letër të shkruar me dorën e tij, Veliaj mohon kategorikisht aludimet se ka organizuar apo financuar protesta kundër qeverisë.
Ai u drejtohet socialistëve, duke theksuar se nuk po sulmon shtëpinë e tij politike, por nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij.
“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës sfidon drejtpërdrejt Ramën që të publikojë qoftë edhe një provë të vetme për pretendimet se ai ka organizuar apo financuar protestat.
“Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat. E gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time”, deklaron ai.
Në fund, Veliaj i drejtohet kryeministrit me një ultimatum politik: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”

