Dy shqiptarë tentuan të grabisin rezidencën e Princit William në Britani, arrestohen pas një operacioni të madh policor.
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se tentuan të hynin për të grabitur rezidencën Anmer Hall, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, ku qëndrojnë Princi William dhe Princesha Kate.
Sipas raportimit të medias britanike “The Sun”, dy të dyshuarit nuk e kishin kuptuar se prona i përkiste çiftit mbretëror. Njëri prej tyre raportohet se ishte emigrant i paligjshëm dhe kishte aplikuar më herët për azil, ndërsa statusi i qëndrimit të personit tjetër në Mbretërinë e Bashkuar mbetet ende nën verifikim.
Ngjarja ndodhi të hënën, pak para orës 18:00, kur u aktivizuan sistemet e sigurisë së pronës. Në atë moment, William, Kate dhe fëmijët e tyre nuk ndodheshin në rezidencë. Mbreti Charles ishte në Sandringham House, rreth pesë kilometra larg.
Pas aktivizimit të alarmit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i pajisur me teknologji infra të kuqe. Forcat e rendit përdorën gjithashtu detektorë metalesh dhe kontrolluan zonën përreth. Dy të dyshuarit u arrestuan brenda territorit të pronës.
Deri më tani, autoritetet dhe Pallati Kensington nuk kanë bërë të ditur nëse nga rezidenca është marrë ndonjë send.
Sipas raportimeve, Princi William dhe Princesha Kate u informuan për incidentin po atë mbrëmje dhe thuhet se ishin shumë të shqetësuar për ngjarjen.
Anmer Hall është një rezidencë që çifti e përdor si vendstrehim familjar në fshat, veçanërisht gjatë pushimeve verore dhe periudhave të pushimeve shkollore. Prona iu dhurua nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre dhe ka shërbyer gjithashtu si vendqëndrimi i familjes gjatë pandemisë së COVID-19.

