Zelenskyy pretendon se Ukraina fundosi një anije luftarake ruse në një bazë detare në Libi
Dronët ujor u nisën nga Vlora? Reagon Zelensky: Ishin 7 copë…
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka marrë përgjegjësinë për fundosjen e një anijeje luftarake ruse në një bazë detare në Libi, të dielën, duke deklaruar se operacioni ishte pjesë e kundërpërgjigjes së Kievit ndaj agresionit të vazhdueshëm rus.
“Një operacion shembullor ukrainas në përgjigje të luftës së Rusisë”, shkroi Zelenskyy në një postim në rrjetin social X, ku publikoi edhe një video që, sipas tij, tregon momentin kur korveta ruse u godit nga dronët ukrainas.
“Luftëtarët tanë përdorën shtatë dronë detarë të prodhimit ukrainas. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të armikut për të penguar sulmin, korveta ruse Merkury u fundos. Ajo ishte një nga anijet më të reja të flotës ruse, e futur në shërbim në vitin 2023, gjatë luftës në shkallë të plotë”, deklaroi ai.
Zelenskyy shtoi se gjatë të njëjtit operacion u fundos edhe anija ruse e transportit të mallrave MV Angara, për të cilën pretendoi se përdorej për transportin e armëve.
Shqipëria mohon përfshirjen në sulmin me dronë ndaj anijes ruse
Ndërkohë, Shqipëria ka hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet se dronët detarë ukrainas, të përdorur në sulmin ndaj anijes luftarake ruse në Libi, janë nisur nga territori shqiptar.
“Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë të vërtetën. Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur dhe as është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Në vijim, ministria theksoi:
“Ne i kundërshtojmë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa asnjë provë të verifikueshme. U bëjmë thirrje të gjithë atyre që po i përhapin këto akuza të korrigjojnë informacionin dhe të tregojnë saktësi, kujdes dhe përgjegjësi në raportimin e çështjeve kaq delikate.”

