Belgjikë: Tre shqiptarë të arrestuar, zbulohen plantacione me mbi 1,500 bimë kanabisi
GODITET ORGANIZATA E DYSHUAR SHQIPTARE NË BELGJIKË/ 3 TË ARRESTUAR, ZBULOHEN PLANTACIONE ME MBI 1,500 BIMË KANABISI
Policia belge ka goditur një organizatë kriminale të dyshuar shqiptare, e cila dyshohet se merrej me ngritjen dhe administrimin e plantacioneve profesionale të kanabisit në disa zona të Belgjikës. Gjatë operacionit janë arrestuar tre persona dhe janë zbuluar plantacione me mbi 1,500 bimë kanabisi.
Operacioni policor u zhvillua pas një hetimi disa mujor, gjatë të cilit autoritetet kishin identifikuar aktivitetin e dyshuar të një grupi kriminal që vepronte në disa qytete belge.
Sipas informacioneve të bëra publike nga autoritetet, kontrollet u ushtruan në tetë adresa, në zonat Brasschaat, Bree, Jemappes, Jemeppe, Leuven, Liège, Schilde dhe Wommelgem.
Gjatë ndërhyrjes u arrestuan tre persona, përkatësisht 26, 26 dhe 34 vjeç. Ata dyshohet se kishin lidhje me aktivitetin kriminal të organizatës.
Zbulimi më i madh u bë në Brasschaat, ku policia gjeti një plantacion me më shumë se 1,500 bimë kanabisi. Një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e drogës u zbulua në Jemappes.
Hetimi kishte nisur disa muaj më parë, pasi policia kishte ndaluar një automjet me qira gjatë një kontrolli rrugor. Brenda tij u gjetën materiale që dyshohej se përdoreshin për ngritjen e plantacioneve të kanabisit, përfshirë pajisje izoluese, materiale paketimi dhe disa grupe çelësash.
Këto të dhëna i drejtuan hetuesit drejt një organizate të dyshuar shqiptare, e cila dyshohet se specializohej në krijimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve profesionale për kultivimin e kanabisit.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme u zbuluan gjithashtu lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, para cash dhe pajisje të përdorura për prodhimin e lëndëve narkotike.
Tre të arrestuarit u morën në pyetje dhe pritet të dalin përpara një gjyqtari hetues, i cili do të vendosë për masat e mëtejshme të sigurisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë strukturën e organizatës, personat e tjerë të përfshirë dhe aktivitetin e saj në territorin belg.

