SPAK e kërkon se vodhi milionat e shqiptarëve! Ermal Beqiri nga burgu i Francës kërkon heqjen e fotove nga InfoNews, ankesë në Google
Biznesmeni Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e tenderëve të AKSHI-t dhe aktualisht i arrestuar në Francë, ka ndërmarrë një tjetër veprim ndaj mediave që kanë publikuar fotografitë e tij.
Ermal Beqiri nga burgu i Francës kërkon heqjen e fotove nga InfoNews
Përmes kompanisë së tij “Soft & Solution”, Beqiri ka depozituar ankesa pranë Google, duke kundërshtuar përdorimin e fotografive personale të marra nga profili i tij në LinkedIn dhe të publikuara nga mediat shqiptare.
Një njoftim i tillë ka mbërritur edhe në redaksinë e InfoNews, ku Google ka komunikuar nisjen e procedurës për shqyrtimin e ankesës lidhur me përdorimin e fotografisë së biznesmenit në një artikull të publikuar nga media.
Në dokumentacionin e përcjellë nga Google, si subjekt që përfaqëson të drejtat mbi fotografitë figuron kompania “Soft & Solution”, në pronësi të Beqirit. Pretendimi lidhet me faktin se imazhet janë marrë nga profili i tij personal në LinkedIn dhe janë ripublikuar pa autorizim.
Ankesa nuk ka si objekt përmbajtjen e artikujve apo raportimet gazetareske mbi hetimet e SPAK, por fotografitë e përdorura në to. Megjithatë, procedura e nisur nga Google mund të sjellë heqjen e adresave të artikujve përkatës nga rezultatet e kërkimit.
Nga tenderët e AKSHI-t te kërkesat për ekstradim
Emri i Ermal Beqirit është bërë pjesë e një prej hetimeve më të bujshme të SPAK, që lidhet me dyshimet për manipulimin e procedurave të prokurimit publik pranë AKSHI-t.
Biznesmeni, pronar i “Soft & Solution”, dyshohet për përfshirje në korrupsion, manipulim tenderësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Prokuroria e Posaçme e lidh gjithashtu me çështjen e pengmarrjes së dyshuar të biznesmenit Gerond Meçe.
Sipas raportimeve mbi dosjen hetimore, kompanitë e lidhura me Beqirin, Ergys Agasin dhe biznesmenë të tjerë kanë përfituar kontrata publike me vlerë rreth 57 milionë euro brenda nëntë muajve.
Ndërkohë, “Soft & Solution” ka raportuar për vitin 2024 mbi 1 miliard lekë fitim të pashpërndarë dhe rreth 2 miliardë lekë asete.
Beqiri u arrestua në Francë më 24 korrik 2026 dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, ndërsa po shqyrtohet kërkesa për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Prokuroria franceze ka dhënë mendim pozitiv për ekstradimin, por vendimi përfundimtar i takon gjykatës franceze.
Në një kohë kur përballet me procedurat gjyqësore për t’u ekstraduar në Shqipëri, kompania e tij ka hapur një tjetër front përmes ankesave ndaj fotografive të publikuara në mediat që raportojnë për çështjen e AKSHI-t.

