AMP ndjek dhe arreston në flagrancë dy inspektorë të Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, dyshime për marrje ryshfeti ndaj drejtuesve të automjeteve
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Të arrestuarit janë:
1. A. S., 20 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë.
2. Xh. F., 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë.
Të dy punonjësit e policisë, të cilët dyshohet se kanë nisur së fundmi karrierën e tyre pas përfundimit të Akademisë së Sigurisë, janë vënë nën hetim pas kallëzimit të një qytetari, i cili ka denoncuar rastin pranë strukturave përkatëse.
Pas denoncimit, AMP ka organizuar veprimet hetimore dhe ka ndjekur aktivitetin e dy punonjësve të policisë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar korruptive dhe kapjen e tyre në flagrancë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy inspektorët kanë shkuar në aksin e Rrugës së Arbrit, pranë ambienteve të organizatës “Fundjavë Ndryshe”, ku kanë ndaluar automjete që kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas dyshimeve të ngritura gjatë hetimit, pavarësisht se kontrolli dhe ndëshkimi administrativ për shkeljet rrugore përbëjnë kompetenca të strukturave përgjegjëse të Policisë Rrugore, dy punonjësit dyshohet se u kanë kërkuar dhe marrë drejtuesve të automjeteve shuma parash, në këmbim të mosndëshkimit dhe shmangies së gjobave për shkeljet e konstatuara.
Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo praktikë nuk ka qenë një rast i izoluar, por është përsëritur në vazhdimësi. Në kuadër të dokumentimit të rastit, dy punonjësit e policisë janë arrestuar në flagrancë, ndërsa hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
AMP dhe Prokuroria po vijojnë veprimet hetimore për sigurimin e provave dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe çdo shkeljeje të ligjit nga punonjësit e strukturave policore, duke garantuar reagim të vendosur ndaj çdo veprimi që cenon integritetin e uniformës dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.

