Qëlluan të riun në sy, nis hetimi ndaj policisë
Policia ka njoftuar nisjen e hetimeve për incidentet e regjistruara gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar dje në Tiranë, ku sipas bluve mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes, efektivët u sulmuan me gurë, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba molotov dhe mjete të tjera.
Lidhur me rastin e të riut të dëmtuar në sy, Policia njofton se kryepolici Skënder Hita ka urdhëruar hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Për të njëjtin incident, hetimet kanë nisur edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur parimin e proporcionalitetit, është pezulluar nga detyra inspektori A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Konkretisht bëhet fjalë për disa pamje që kanë qarkulluar, ku efektivi i ‘Shqiponjave’ dhunon me shkop gome protestuesin e shtrirë në tokë.
Ndaj tij ka nisur gjithashtu një hetim administrativ për të sqaruar veprimet e kryera gjatë protestës. Policia e Shtetit shprehu keqardhjen për të gjithë qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë të lënduar, duke u uruar shërim të shpejtë.
Në përfundim, institucioni theksoi se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke nënvizuar se respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës janë parime të panegociueshme.
Ndërkohë për dhunën dhe sulmet e djeshme në protestë, Policia ka arrestuar 23 persona, ndërkohë 30 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa kanë nisur hetimet edhe për 13 persona të tjerë.

