KLSH: U konstatuan shkelje! Të merren masa për Zhaneta Beqirin
KLSH konstaton shkelje në drejtimin e Zhaneta Beqirit, i kërkon Bashkisë së Tiranës të vlerësojë përgjegjësinë disiplinore
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës dhe i ka rekomanduar Bashkisë së Tiranës të vlerësojë përgjegjësinë e ish-drejtoreshës Zhaneta Beqiri, për të vendosur nëse duhet të nisin procedurat për marrjen e një mase disiplinore ndaj saj.
Rekomandimi rezulton në raportin përfundimtar të auditimit të KLSH-së, ku institucioni i kërkon Bashkisë së Tiranës të shqyrtojë shkeljet e evidentuara dhe shkallën e përgjegjësisë së titullares së Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve.
Në dokument thuhet shprehimisht se Bashkia duhet të vlerësojë nëse ekzistojnë kushtet për nisjen e procedurave disiplinore ndaj Zhaneta Beqirit, në mbështetje të legjislacionit për nëpunësin civil dhe vetëqeverisjen vendore.
Megjithatë, KLSH nuk ka kërkuar drejtpërdrejt shkarkimin e saj, por ia ka lënë në kompetencë Bashkisë së Tiranës vlerësimin e përgjegjësisë dhe vendimmarrjen për masat e mundshme disiplinore.
Publikimi i këtij rekomandimi vjen pas reagimit të Zhaneta Beqirit, e cila mohoi që largimi i saj nga detyra të kishte lidhje me auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Sqaroj për të gjithë, që nuk ka asnjë lidhje mes auditit të KLSH dhe largimit tim nga puna. Ai audit nuk ishte shkak, kurse unë jam pasojë e arsyeve të tjera që nuk kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të institucionit dhe timin si drejtuese e tij deri më sot!”, deklaroi Beqiri.
Në reagimin e saj, ish-drejtoresha bëri edhe një bilanc të punës 11-vjeçare në krye të institucionit, duke theksuar se 2.333 punonjës kujdesen çdo ditë për rreth 13 mijë fëmijë në çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës.
Ndërkohë, më 20 nëntor 2026, kryebashkiaku Erion Veliaj firmosi urdhrin për shkarkimin e Beqirit nga posti i drejtoreshës së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, ndonëse ndodhet në paraburgim.
Në urdhrin e publikuar më herët nga VNA, si argument për ndërprerjen e marrëdhënies së punës përmenden mospërmbushja e detyrimeve institucionale dhe konstatimet e raportit përfundimtar të KLSH-së, i cili ishte dorëzuar në Bashkinë e Tiranës më 14 tetor.
Sipas dokumentit, marrëdhëniet financiare me Beqirin parashikohet të përfundojnë më 24 nëntor 2026, ndërsa asaj do t’i kompensohen 14 ditë leje vjetore të pashfrytëzuara.
Vendimi për largimin e saj shkaktoi edhe reagimin e deputetit socialist Erjon Braçe, i cili i kërkoi publikisht Veliajt që ta anulonte urdhrin.
“Ndaj do i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: Kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye është i padrejtë!”, deklaroi Braçe, duke vlerësuar punën e Beqirit në drejtimin e shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve.
Dokumenti i KLSH-së konfirmon kështu se auditimi ka evidentuar shkelje dhe ka kërkuar vlerësimin e përgjegjësisë së ish-drejtoreshës, ndërsa Beqiri ka mohuar që këto konstatime të kenë qenë shkaku i largimit të saj nga detyra.

