Helmuan Elbasanin, Shapllo dhe Orgocka “shpërblehen” me tenderin 4 milionë euro nga OSHEE me 99 % të fondit!
Disa muaj më parë, një operacion i policisë së Elbasanit vuri në pranga disa punonjës dhe shpalli në kërkim pronarët e tyre për shkak se kishin helmuar për një kohë të gjatë qytetin e Elbasanit, duke djegur mbete në territorin e ish Metalurgjikut. Në njoftimin zyrtar, policia tha se kishte shpallur në kërkim Agron Shapllon dhe Serafin Orgockën, të cilët janë pronarë të firmës GSA, e cila është e ndarë në Ferrokrom, energji elektrike, etj.
Ashtu siç ndodh edhe me dosjet e tjera në këtë vendin tonë të vogël, edhe ky operacion u zbeh me kalimin e kohës, pavarësisht pamjeve të shpërndara nga vetë Policia e Shtetit, e cila kapi në flagrancë punonjësit, duke i filmuar dhe vëzhguar disa ditë me radhë, që digjnin mbetje. Tymi shkonte në Elbasan, Cërrik e madje në Peqin.
Çudia zgjati disa ditë e javë, pasi me kalimin e kohës, Shapllo dhe Orgocka jo vetëm që s’janë ndëshkuar, por ata vijojnë të “shpërblehen” nga vetë shteti, me tendera pa garë dhe të paracaktuar. Madje, ata arrijnë që të marrin të gjithë fondin limit, pavarësisht se ndaj tyre apo firmës GSA duhet të kishte masë sigurie.


Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, dyshja e GSA-së, Orgocka dhe Shapllo, që aktualisht renditen si 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri, kanë fituar tenderin e radhës, ashtu si edhe në vitet e kaluara, ku kanë “garuar” me veten, teksa dyshimet janë se procedura ka qenë e paracaktuar. Objekti i procedurës është “blerje matësa, përfshirë aksesorët e nevojshëm”, me kohëzgjatje 150 ditë nga lidhja e kontratës dhe me një fond 395 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 4.1 milionë euro.
“Me anë të këtij formulari ju informojmë se, në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm shoqëria ‘GSA’ me ofertë 391,549,100 lekë pa TVSH”, thuhet në dokumente. Nëse do të bëjmë një llogaritje të thjeshtë rezulton se ata kanë marrë plot 98.97 % të fondit limit, duke lënë rrugës vetëm 4 milionë lekë të rinj.
Në një procedurë tepër të majme, konkurron vetëm një firmë e cila merr pothuajse të gjithë fondin limit, teksa firmat e tjera as kanë guxuar që të futen në këtë garë, pasi procedurat e mëparshme i janë dhënë të gjitha kësaj firme, duke përjashtuar këdo. Dyshimet janë se letrat kopsitën në mënyrën që GSA-ja të fitojë këtë shumë, duke eliminuar konkurrencën. Specifikimet teknike dhe kërkesat i përshtaten totalisht kësaj firme, e cila arrin që të marrë çdo qindarkë për vite me radhë, ndërsa çuditërisht deri më sot asnjë institucion as e ka marrë mundimin që ta verifikojë dhe jo më ta hetojë.


Një vit më parë, Vox News do të denonconte se prej shumë vitesh, firma GSA ka marrë pothuajse të gjitha tenderat e matësve, në një vlerë prej më shumë se 10 milionë eurosh. Ndërkohë që vitet kalojnë, vetë OSHEE-ja ka rritur vlerën e tenderit, teksa në 2026-ën e bëri plot 4 milionë euro.
“Institucionet që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë elektrike janë vënë ‘në radhë’ nga dy oligarkët Agron Shapllo dhe Serafin Orgocka. Në një konflikt të hapur interesi, firma GSA merret me tregtimin e energjisë elektrike, ku pasi e blen nga operatorët rajonalë, ia shet më pas KESH-it. Por, edhe kur ka ‘tepricë’ në prodhim në Shqipëri, ajo bën rolin e ndërmjetësit. E njëjta firmë, GSA, merret edhe me sistemin kontrollues të matjes së energjisë elektrike në OST, apo edhe me vendosjen e matësave të energjisë elektrike në banesa. Ajo ka fituar lehtësisht tendera të shpallura nga OSSH, OSHEE dhe OST, të cilat janë kompani shtetërore. Të gjitha tenderët i ka fituar pa garë dhe me dyshime të forta të paracaktuara”, ishte denoncimi i Vox News.
Specifikime si “punë të ngjashme” apo materiale të “certifikuara”, kanë skualifikuar të gjitha firmat e tjera që vetëm sa bëjnë rolin e vëzhguesit në këto tendera. Duket se, drejtorët e institucioneve që prodhojnë, transmetojnë dhe tregtojnë energjinë, i përshtasin dokumentet si ti duan Shapllo dhe Orgocka. GSA-ja renditet kompania më e madhe që blen energjinë nga KESH dhe më pas ia shet OSHEE-së. Por, ajo shet dhe bën biznes me OSHEE-në për matësat e energjisë elektrike. Madje, e njëjta firmë bën edhe mbikëqyrjen e procesit. Nëse një firmë private i bën të gjitha këto, për çfarë shërbejnë zyrat shtetërore? Apo për të bërë dokumente dhe për të shpërndarë paratë sipas interesit të tyre.
Kjo është një skemë e pastër, ku GSA-ja veçse sa mbush arkat, duke i renditur dy pronarët e saj në 10 më të pasurit në Shqipëri. Në vitin 2024, OSSH i ka dhënë një tjetër tender të majmë kësaj firme. Procedura me objekt “blerje matësa lidhje të re, likujdim anomalish, verifikime sisteme matje me kërkesë klienti dhe/ose plane OSSH, në sistem matje, përfshirë aksesorët e nevojshëm” u fitua lehtësisht nga Shapllo dhe Orgocka.
Vlera e tenderit ishte 274 milionë lekë, ndërkohë që këto para jepeshin për vetëm 90 ditë (3 muaj). “Njoftojmë se ofertuesi i mëposhtëm ka marrë pjesë në këtë procedurë; shoqëria ‘GSA’, me vlerë 270 milionë lekë” shkruhet në dokumente. GSA-ja e uli ofertën me vetëm 40 mijë euro, teksa futi në xhep plot 2.7 milionë euro.
Sërish, s’pati asnjë konkurrent?! Arsyeja? “Punët e ngjashme” dhe “certifikimet” e pajisjeve. Por, nëse do t’i japësh vit pas viti kësaj firme miliona euro, përse e fut kushtin e punëve të ngjashme. Në këtë mënyrë ul konkurrencën dhe përjashton edhe firmat e huaja.
Ndërkohë, edhe në vitin 2023 firma GSA ka fituar lehtësisht një tender nga OSSH Durrës. Objekti i procedurës ishte “blerje matësa dhe aksesorë të sistemit të matjes” me vlerë 195 milionë lekë. GSA-ja ofroi 191 milionë lekë. Një tjetër firmë “EV Engineering”, mori pjesë vetëm formalisht pasi nuk bëri asnjë ofertë. Një “lojë” që është ndjekur në të kaluarën ku zarfet hapeshin vetëm nëse kishte më shumë se 1 firmë në garë.
Vox News shfletoi edhe tenderët e vitit 2022, ku sërish GSA-ja është favorizuar dukshëm nga OSSH. Dyshimet janë se dy oligarkët kanë bërë një qark të shkurtër deri sipër në qeveri, teksa favoret janë në disa vite.
©Copyright Vox News
