Protestat në Tiranë, ndalohet 33-vjeçari për kërcënime me bombë, 17 persona nën hetim për thirrje për dhunë.
Një 33-vjeçar është ndaluar nga Policia, ndërsa 17 persona të tjerë janë proceduar penalisht pas hetimeve për publikime në rrjetet sociale, të cilat, sipas autoriteteve, përmbanin kërcënime dhe thirrje për veprime të dhunshme në kontekstin e protestave që nisën më 13 tetor në Tiranë dhe në disa qarqe të vendit.
Ndërkohë, Drejtoria e Antiterrorit ka referuar në prokurori edhe tetë raste të tjera, për të cilat vijon puna për identifikimin e personave që administrojnë llogaritë përkatëse.
Sipas Policisë, 33-vjeçari me inicialet E. Xh., banues në Tiranë, dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, duke pretenduar se në tri godina të tij ishin vendosur bomba. Ai dyshohet për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”.
Mes personave të proceduar është edhe A. K., 34 vjeç, i cili dyshohet se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme përmes Instagramit. Policia pretendon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në platformën GoFundMe për mbledhjen e fondeve, duke pretenduar në mënyrë të rreme se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit, atij i është sekuestruar një bexh që, sipas autoriteteve, e përdorte për t’u prezantuar si gazetar dhe për t’iu shmangur kufizimeve policore.
Një tjetër rast lidhet me 51-vjeçarin E. N., banues në Shëngjin. Sipas materialeve të referuara në prokurori, ai dyshohet se ka publikuar video në rrjetet sociale, përmes të cilave ka ofruar para për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, 37-vjeçari G. P. është proceduar për veprat penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”. Sipas Policisë, ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese. Autoritetet pretendojnë se këto publikime mund të rrezikojnë sigurinë e efektivëve dhe familjarëve të tyre.
Procedim penal është regjistruar edhe për A. G., 56 vjeç, dhe A. A., 50 vjeç, për publikime që Policia i cilëson si thirrje për dhunë, nxitje urrejtjeje ose shkrime me përmbajtje antikushtetuese.
Për 20-vjeçarin O. M. janë referuar materialet në prokurori, pasi dyshohet se gjatë një proteste ka vendosur një banderolë me simbol nazist në fasadën e Universitetit Politeknik.
Në kuadër të të njëjtit hetim, edhe 11 persona të tjerë, të moshave 18 deri në 46 vjeç, janë proceduar nën dyshimin se kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme përmes shkrimeve, mesazheve dhe komenteve të publikuara në platforma të ndryshme online.
Hetimet janë kryer nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Materialet i janë referuar prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e administratorëve të tetë llogarive të tjera.
Të gjitha rastet mbeten nën hetim dhe përgjegjësia penale e personave të proceduar do të përcaktohet nga organet kompetente.

