Greta Gjoci, 33-vjeçarja që u transferua një ditë më parë në burgun e Pojskës në Pogradec së bashku me foshnjën e saj 3-muajshe, nuk do të rikthehet për të vijuar dënimin në qeli per Call Center.
Gjykata e Posaçme ka pranuar sot kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të renë, duke marrë në konsideratë situatën e saj dhe të foshnjës.
Në seancë ishte e pranishme edhe vetë Greta Gjoci, e cila kishte me vete foshnjën. Gjatë zhvillimit të seancës, fëmija u mbajt nga kujdestarja e burgut të Pojskës.
Seanca zgjati rreth 25 minuta. Në sallën e gjyqit ishte edhe avokati Jurgen Gjoci, i cili vendosi të ishte i pranishëm pavarësisht bojkotit të avokatëve. Ai e argumentoi vendimin e tij me arsye humanitare, ndërsa bëhet e ditur se Greta Gjoci është edhe e afërmja e tij.
Gjatë seancës, 33-vjeçarja foli vetë para gjykatës dhe kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke shpjeguar se foshnja vetëm 3-muajshe kishte shfaqur probleme gjatë qëndrimit në burg. Sipas saj, fëmija nuk po ushqehej dhe nuk kishte mundur të flinte gjatë ditëve të kaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Kërkesa e mbrojtjes është mbështetur edhe nga prokurori Ened Nakuci, i cili ka qenë dakord me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Pas vendimit të gjykatës, Greta Gjoci do të rikthehet përkohësisht në Pojskë për përfundimin e procedurave përkatëse. Më pas, ajo pritet të largohet nga burgu dhe të kthehet në banesë së bashku me foshnjën.
Gjocit i kanë mbetur për të vuajtur edhe pak më shumë se 3 vite e 5 muaj nga dënimi i dhënë në shkallën e parë.

