AMP u heq certifikatat e sigurisë 10 zyrtarëve të Policisë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore iu ka hequr certifikatat e sigurisë 10 zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, gjashtë prej të cilëve sipas burimeve janë në nivelin e lartë drejtues. Burime pranë AMP-së thanë se ky vendim u mor pasi u ngritën dyshime se zyrtarët e policisë kanë probleme me pastërtinë e figurës. Ndërsa ka indicie edhe për lidhje me personazhe të botës së krimit.
Agjencia konfirmoi se thuajse 20 zyrtarëve të tjerë u është refuzuar pajisja me këtë certifikatë, pasi janë vërejtur probleme.
Certifikata është një dokument që e marrin një kategori zyrtarësh policie, të cilët kanë akses te informacioni i klasifikuar “sekret”. Për pajisjen me certifikatën e sigurisë bashkëpunojnë disa institucione, si AMP, Shërbimi Informativ Shtetëror, etj.
Këto të dhëna janë në raportin gjashtëmujor të punës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

1 Koment
Pingback: AMP njoftoi 6, burimet: Asnjë drejtues policie nuk humbi certifikatën e sigurisë