Lirohet nga qelia Luan Muça i Delta Group! Vasil Bedinajt i dalin huq deklaratat për gjobvënie?
VLORË – Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për personat e përfshirë në konfliktin e armatosur në ambientet e “Regina Palm” në Vlorë, ku u përplasën grupet e biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.
Për Luan Muçën, pronarin e kompanisë “Delta Group”, gjykata ka vendosur masën “detyrim për paraqitje”.
Ndërkohë, për Mandrit Lleshajn, pronarin e kompanisë së sigurisë “SWAT Security”, rojet e së cilës shoqëronin Muçën, është caktuar masa “arrest në burg”. E njëjta masë është vendosur edhe për shtetasin nga Kosova, Blerim Hetën, si dhe për Klaudio Lleshajn.
Për Angjelo Breshanin, personi që dyshohet se ishte pjesë e grupit të Vasil Bedinajt dhe që qëlloi me armë në drejtim të automjetit “Range Rover”, gjykata ka vendosur “arrest në shtëpi”.
Në lidhje me ngjarjen janë shpallur në kërkim edhe gjashtë persona të tjerë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe për përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.
EMRAT/ Kush janë 10 ushtarët e Luan Muçës që rrethuan Vasil Bedinajn
Përplasja dhe versionet e palëve
Çështja po hetohet nga strukturat e krimeve të rënda në Policinë e Vlorës.
Sipas një prej pistave të hetimit, shkak i konfliktit dyshohet të jetë bërë një pretendim për një gjobë prej 5 milionë eurosh, për të cilën biznesmeni Vasil Bedinaj ka akuzuar Luan Muçën.
Muça i ka kundërshtuar këto pretendime në dëshminë e tij, duke deklaruar se konflikti nuk kishte lidhje me një gjobë, por me një çështje pronësie në bregdetin e jugut. Sipas versionit të tij, përplasja lidhet me pretendime mbi ligjshmërinë e dokumentacionit të pronës.
Pas konfliktit në ambientet e hotelit, dy persona të përfshirë në ngjarje janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Gjatë hetimeve është zbuluar gjithashtu se dy persona të tjerë të përfshirë në konflikt ishin punonjës të Policisë Ushtarake. Për ta është marrë masa e pezullimit nga detyra.
Përplasje titanësh në Orikum! Vasil Bedinaj vs Luan Muça: Resorti në Palasë dhe takimi i armatosur
Rama: Bëhet fjalë për tokë shtetërore
Përplasja e armatosur shkaktoi reagime të shumta publike, ndërsa Policia dhe Prokuroria deklaruan se po kryenin një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vasil Bedinaj gënjeu? Reagon Luan Muça: Ja si është e vërteta…
Edhe kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me konfliktin. Sipas tij, në qendër të përplasjes ishte një tokë shtetërore, për të cilën ai deklaroi se shteti do ta rimarrë dhe do ta përdorë për kthimin e sipërfaqes në ullishte.
Hetimet vijojnë për të sqaruar motivin e konfliktit, rolin e personave të përfshirë dhe mënyrën se si u përdorën armët gjatë përplasjes në “Regina Palm”.

