Dyshohet gjakmarrje! Atentat në Mirditë, ekzekutohet Viktor Bardhi! Gjendet makina e djegur e autorëve
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mëngjesin e kësaj të enjteje, 3 shtator, në zonën e Ndërfushazit në Mirditë, ku ka mbetur i vrarë Viktor Bardhi.
Sipas të dhënave paraprake, viktima është qëlluar me armë zjarri, ndërsa në zonën e Munazës është gjetur edhe një automjet i djegur, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar pas krimit.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po kryhen verifikime për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ende nuk ka një informacion zyrtar mbi motivin e ekzekutimit.
Viktor Bardhi është vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra me armë zjarri në Rrëshen më 26 shtator 2023. Martin Bardhi, 59 vjeç, u ekzekutua pranë lokalit të tij në qendër të qytetit, ndërsa nga të shtënat mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë.
Vrasja e Martin Bardhit u lidh në atë kohë nga grupi hetimor dhe mediat me një seri konfliktesh të vjetra në zonën e Mirditës. Vetëm disa muaj para ekzekutimit të tij, në mars 2023, Martin Bardhi dhe djali i tij, Erind Bardhi, ishin përfshirë në një ngjarje ku u qëllua me armë në drejtim të automjetit të Saimir Reçit. Sipas raportimeve të kohës, Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Martin Bardhi u arrestua për këtë ngjarje.
Pas vrasjes së Martin Bardhit, hetuesit dyshuan se ngjarja mund të kishte lidhje me konfliktet e mëparshme mes familjeve dhe me motive hakmarrjeje, por autorët nuk u identifikuan menjëherë.
Fakti që viktima e ngjarjes së sotme, Viktor Bardhi, është vëllai i Martin Bardhit, si dhe gjetja e një automjeti të djegur në zonën e Munazës, pritet të jenë ndër pistat që do të verifikohen nga hetuesit. Megjithatë, në këtë fazë nuk ka konfirmim zyrtar se vrasja e sotme është një akt hakmarrjeje apo se lidhet drejtpërdrejt me ekzekutimin e Martin Bardhit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit të krimit.

