Motori u përplas me barrierat anësore të rrugës, kush janë dy shqiptarët që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kretë
KRETË- Edison Xhaka, 27 vjeç nga Elbasani dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç nga Gramshi, janë dy shqiptarët që humbën jetën në një aksident rrugor në ishullin e Kretës në Greqi. Shoqata Shqiptare Kisamo “Kastel” bëri me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 në autostradën kombëtare pranë zonës së Kolymbarit.
Xhaka dhe Toçila po udhëtonin me motor kur në rrethana ende të paqarta, janë përplasur me barrierat anësore dhe kanë humbur jetën në vend. Si pasojë e përplasjes, të dy të rinjtë kanë pësuar plagë fatale. Ata u transportuan me ambulancë në Spitalin e Hanias, ku mjekët konstatuan vdekjen e tyre. Xhaka jetonte e punonte prej vitesh në Kissamo, kurse Toçila me kohë të pjesshme. Ndërkohë, shoqata ka shprehur ngushëllime për të dy djemtë, ndërsa shkruan se ngjarja ka qenë tronditëse për komunitetin. Sakaq, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
