Një emër i ri po përmendet gjithnjë e më shpesh në sektorin e energjisë në Kosovë – Marin Gjonaj, i cili sipas raportimeve po konsiderohet si një nga figurat kryesore në qarkullimin e madh financiar të energjisë elektrike në vend.
Sipas të dhënave, kompania ETMT, e lidhur me Gjonajn, vetëm gjatë muajit janar ka realizuar qarkullim prej rreth 16 milionë eurosh. Ndërkohë, në vetëm 10 ditët e fundit, kjo shifër thuhet se ka kaluar mbi 10 milionë euro, duke ngritur pikëpyetje mbi rritjen e shpejtë të aktivitetit të saj në treg.
Në planin politik, përmendet edhe një lidhje indirekte: Gjonaj rezulton bashkëpronar në një kompani tjetër me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti. Ky i fundit së fundmi është emëruar anëtar i Komisionit Parlamentar për Energji Elektrike, një zhvillim që mund të ngjallë debat për konflikt të mundshëm interesi.
Sa i përket operimit të ETMT, raportimet sugjerojnë se kompania ka një prani formale në Kosovë, ndërsa aktiviteti i saj në Shqipëri është pezulluar plotësisht. Në vitin 2024, ajo ka hapur një zyrë të re në Beograd, duke zhvendosur kështu fokusin e operimeve në rajon.
Këto zhvillime kanë nxitur reagime dhe kërkesa për më shumë transparencë lidhur me funksionimin e tregut të energjisë, rolin e kompanive private dhe lidhjet e mundshme me zyrtarë publikë.
Autoritetet përkatëse ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me këto pretendime.
Shkrimi i plote:
Një aktor i ri, shumë i fuqishëm, që po gjeneron miliona euro në baza mujore me shitjen e energjisë, është futur në tregun e Kosovës. Pronari i kësaj kompanie del të jetë Marin Gjonaj, një biznesmen nga Shqipëria, i cili ka një biznes tjetër, në bashkëpronësi me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmetin.
Bëhet fjalë për një kompani nga Shqipëria me emrin ETMT Energy e regjistruar në Kosovë në vitin 2020, e licencuar për Tregti me rrymë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike në shtator të vitit 2021, por që fitimet multi-milionëshe i filluan veç në pjesën e dytë të vitit që shkoi e ato janë zgjeruar ndjeshëm, ama ndjeshëm, në fillim të këtij viti.
Për ta kuptuar se sa fuqishëm është futur në treg ETMT në këtë fillim viti në Kosovë, më së miri qartësohet nga të dhënat ekskluzive që kemi siguruar nga institucionet për këtë kompani.
Siç mund të shihet, ETMT në Kosovë në janarin e vitit 2025 kishte qarkullim vetëm 90 euro.
Kurse në janarin e vitit 2026, mbani frymën, qarkullimi i arriti në 16 milionë e 179 mijë e 851 euro, për të vazhduar një muaj më vonë edhe me 8 milionë e 400 mijë të tjera për një total prej mbi 24 milionë e 500 mijë eurove në vetëm dy muaj.
Paramendojeni sa duhet të ketë arritur shifra edhe për muajin mars e prill, meqë tash ka edhe prishje në KEK e kërkesa për energji është shtuar ndjeshëm.
Po, kush është kjo kompani që u ngjit në maje nga asgjë.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës thuhet se adresën e ka në Sheshin “Nenë Tereza” dhe se ka veç një punëtor.
Normalisht, unë shkova të kompania multi-milionëshe. Por, ça të shkoja.
Sipas të dhënave në ARBK, ETMT ka pronar një tjetër kompani, ENER TRADE.
Kjo kompani nuk është e regjistruar në Kosovë, por në Shqipëri. Pronar janë Marin Gjonaj dhe Artur Micko.
Gjonaj del të jetë biznesmen nga Shqipëria, i përfshirë në disa skandale atje, lidhur me politikën dhe bitcoin.
Por, më e rëndësishmja ai ka partner në një kompani deputetin e Vetëvendosjes, Ejup Ahmetin.
Te kompania TOP FRUITS në Shqipëri 50 për qind të aksioneve i ka GJONAJ GROUP HOLDINGS, kurse 50 për qind të tjera Ejup Ahmeti.
Tani vëmendje.
Ejup Ahmeti, i njohur në Kosovë e Shqipëri për mashtrim të dy shteteve shqiptare me subvencione, u bë deputet i Vetëvendosjes në janar, saktësisht në kohën kur ETMT filloi gjenerimin e milionave në Kosovë me rrymë.
Për më tepër, Ahmeti është bërë anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi. Saktësisht, komisioni që merret me Energjinë Elektrike në Kosovë dhe kontrollimin e organeve që merren me energji.
Dhe, për befasi, deputeti Ahmeti është anëtar veç në këtë komision parlamentar. Askund tjetër.
A mund të jetë rastësi?
Por, çudia nuk përfundon këtu.
ETMT që tash po fiton milionat në Kosovë, ku ka veç një punëtor e zyrat në një banesë që s’gjendet kush, në Shqipëri e ka mbyllur aktivitetin fare.
Siç shihet ETMT në Shqipëri Me date 25.09.2024, me vendim te asamblesë së ortakeve, u pezullua dhe Statusi ndryshoi nga: “Aktiv” ne “Pezulluar”.
Çuditërisht prapë, pikërisht në kohën kur mbyllet në Shqipëri dhe e fillon gjenerimin e milionave në Kosovë, ETMT hapet edhe diku tjetër.
Në Beograd.
Edhe atje, në 2024-në, fiks kur mbyllet në Shqipëri, i fluturon qarkullimi.
VOX Kosova e ka pyetur deputetin e Vetëvendosjes, bashkë-ortakun e Gjonajt te Top Fruits, por ai, normalisht, refuzon të na jap përgjigje.
Ne kemi siguruar edhe kërkesën dhe blerjen energjisë nga Kosova edhe për vetëm periudhën nga 31 marsi deri me 13 prill.
Sipas përllogaritjeve nga ELEX dhe të dhënat nga ALPEX pa llogaritur kostot përcjellëse të importit, del se Kosovës i janë shitur në veç këto pak ditë, mbi 10 milionë euro.
Shitësi po dihet, ETMT.
Derisa prokuroria po vazhdon hetimet për kompaninë NOA Energy Trade, nuk dihet nëse hetime kanë filluar për kompaninë ETMT, e cila ndryshe nga NOA, ka një lidhje direkte me partinë në pushtet, përmes deputetit Ejup Ahmeti.
I cili është edhe anëtar i Komisionit që merret me Energji.
Paramendojeni lidhjen e shkurt që mund të ketë ETMT, përmes bashkëpronarit në kompaninë tjetër, deputetit Ahmeti, te Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe te kryeshefi i KOSTT-it që siç e dini, është nipi i një Ministri tjetër të Vetëvendosjes.
Rrethi është i qartë, të dhënat janë konkrete, shifrat tmerruese, çmimi i rrymës i papërballueshëm dhe pushteti që ndryshon kompanitë nga Martini te Marini, por fitimin veç e rritë.
