Pronari në qeli, dy kompanitë e Ermal Beqirit “kacafyten” me Identitek-un në KPP
Ndërsa Ermal Beqiri ndodhet në Francë pas arrestimit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë, dy kompanitë e tij po përballen me Identitek në Komisionin e Prokurimit Publik për një tender me vlerë rreth 100 mijë euro me TVSH duke vijuar punën normalisht pavarësisht mega skandalit të AKSHI-t.
Siç konstaton Skyweb.al, bëhet fjalë për tenderin e Identitek për “Sistemin Interactive Voice Response (IVR)”, pra sistemin e përgjigjes zanore interaktive, me fond limit 8.18 milionë lekë pa TVSH, procedurë e shpallur më 14 korrik 2026.
Në garë ka marrë pjesë bashkimi i operatorëve “Soft & Solution” dhe “NSolution”, ndërsa ankesa në KPP është depozituar formalisht nga Soft Solution më 11 gusht, pasi Identitek vendosi skualifikimin e ofertës së tyre.
Identitek argumenton se NSolution, e cila sipas marrëveshjes së bashkëpunimit do të realizonte 30% të shërbimeve, nuk kishte provuar disponimin e stafit të kërkuar me kontrata pune të vlefshme. Komisioni konstatoi se tre kontratat e paraqitura për punonjësit kishin qenë me afat njëmujor dhe për këtë arsye nuk provonin përmbushjen e kriterit teknik të tenderit.
Nga ana tjetër, kompanitë kundërshtojnë skualifikimin dhe pretendojnë se Identitek ka zhvilluar në mënyrë të parregullt procesin e vlerësimit.


