Të ardhurat e parashikuara në draftin paraprak të buxhetit 2027, të siguruara nga Monitor pritet të arrijnë rekordin e rreth 910 miliardë lekëve, ose 30.9% të prodhimit të Brendshëm bruto.
Buxheti 2027, shpenzime rekord! Nuk ka më rritje pagash…
Të konvertuara me kursin aktual, buxheti pritet të arrijë një rekord prej gati 10 miliardë eurosh, që gjithsesi në valutë është i fryrë për shkak të zhvlerësimit të euros.
Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2026, që pret të arkëtojë 843 miliardë lekë, të ardhurat vlerësohet të rriten me 7.7%.
Një zë i ri i futur në projektbuxhetin e vitit 2027 janë ndihmat nga plani i rritjes, që priten 7.6 miliardë lekë, nga 961 milionë lekë në 2026-n, duke e çuar totalin e ndihmave në një rekord prej 24.2 miliardë lekësh.
Burimi kryesor i të ardhurave në buxhet, ato tatimore (nga tatimet e doganat dhe kontributet) pritet të arrijnë në 853 miliardë lekë, me rritje prej 6.9% në krahasim me planin e rishikuar të 2026-s.
Nga këto, 583 miliardë lekë do të mblidhen nga tatimet e doganat, me rritje prej 8.4% në raport me buxhetin e rishikuar 2026.
Nga sigurimet shoqërore do të arkëtohen rreth 211 miliardë lekë, me zgjerim më të ngadaltë prej 4.6%, duke sinjalizuar një rritje më të ngadaltë të pagave. Për krahasim, në 2026-n pritet që buxheti të arkëtojë rreth 202 miliardë lekë nga ky zë, me një rritje të fortë prej 13%.
Të ardhurat nga pushteti lokal pritet të jenë 58.8 miliardë lekë, me rritje të lehtë prej 1.2%, pas zgjerimit të fortë prej 42% në 2026-n, që erdhi si rrjedhojë e dhënies së lejeve rekord të ndërtimit.
Shpenzimet, rekord prej 976 miliardë lekësh, nuk ma më rritje pagash
Totali i parashikuar i shpenzimeve për vitin 2027 është 976 miliardë lekë, me një rritje prej 7.6% në krahasim me buxhetin e rishikuar të 2026-s.
Pas një periudhe dy vjeçare ku pagat në administratë u rritën me shpejtësi, buxheti i 2027-s nuk parashikon shtim të këtij zëri.
Shpenzimet për paga pritet të jenë 122 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 1.7% në krahasim me buxhetin e rishikuar të 2026-s, ose vetëm 2 miliardë lekë më shumë. Për krahasim, në 2026-n fondi i pagave ishte rritur me 12.8%, ose me gati 13 miliardë lekë më shumë, ndërsa në 2025-n me 11 miliardë lekë më shumë.
Për politikat e reja të pensioneve parashikohen 4 miliardë lekë, nga 1.65 miliardë lekë në 2026-n.
Bonusi i lindjeve pritet të jetë 2.8 miliardë lekë, nga 2.3 miliardë lekë në 2026-n.
Shpenzimet kapitale pritet të arrijnë në rekordin e 200 miliardë lekëve, nga 176 miliardë lekë që është realizimi i pritshëm i këtij viti.
Buxheti parashikohet që të ketë një deficit (diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve) prej 68 miliardë lekësh.

