Nga “çakejtë e Agimit të Artë” te “rrjeti Antifa”, “të lidhurit me Rusinë dhe Iranin”, kronologjia e akuzave të Edi Ramës ndaj protestuesve
TIRANË – Nga protestat kundër projektit në Zvërnec, në fund të majit dhe fillim të qershorit, deri te protestat e tetorit 2026, kryeministri Edi Rama ka përdorur një gjuhë gjithnjë e më të ashpër ndaj protestuesve dhe personave që kanë mbështetur mobilizimet qytetare.
Në deklaratat e tij publike, Rama ka kaluar nga etiketimet politike dhe krahasimet me organizata ekstremiste, te pretendimet për ndërhyrje të huaja, financime nga krimi i organizuar, lidhje me Rusinë, Iranin dhe lëvizjen Antifa.
Më poshtë paraqitet kronologjia e deklaratave dhe akuzave të tij, sipas datave.
3 qershor 2026 – “Çakejtë e Agimit të Artë”
Gjatë një komunikimi me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, Rama komentoi protestat kundër projektit në Zvërnec.
Ai iu referua protestuesve me shprehjen:
“Vijnë nëpër rrugë si çakejtë e Agimit të Artë”.
Kryeministri pretendoi se protestuesit ishin të kurdisur nga jashtë, duke përmendur edhe Greqinë. Ai tha se nuk kishte ndërmend të dialogonte me persona që, sipas tij, ishin të organizuar nga aktorë të jashtëm.
10 qershor 2026 – “Qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet protestës”
Rama reagoi ndaj një postimi të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, i cili kishte publikuar pamje nga protesta dhe parulla kundër qeverisë shqiptare.
Në reagimin e tij, kryeministri deklaroi:
“Ja edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës”.
Ai pretendoi se një protestë që kishte nisur si kauzë mjedisore po përdorej për qëllime politike dhe për rrëzimin e qeverisë.
19 tetor 2026 – “Manipulatorët” dhe paralajmërimi për pasoja financiare
Në një reagim në Facebook, Rama u kërkoi protestuesve të distancoheshin nga personat që ushtronin dhunë.
Ai përdori shprehjen:
“Mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike”.
Më tej, paralajmëroi:
“Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata”.
Rama deklaroi se ishte i gatshëm për dialog me këdo, me përjashtim të dhunuesve dhe partive politike që nuk distancoheshin nga dhuna.
19 tetor 2026 – Rusia, Irani dhe llogaritë e rreme
Në një tjetër komunikim me drejtuesit e Policisë së Shtetit, Rama foli për atë që e përshkroi si një sulm të koordinuar ndaj Shqipërisë.
Ai akuzoi Rusinë se kërkonte të pengonte zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Kryeministri pretendoi se mijëra profile të rreme në rrjetet sociale paraqiteshin si qytetarë shqiptarë dhe ndikonin në debatin publik. Ai përmendi gjithashtu Iranin, duke pretenduar se edhe ky shtet kishte mobilizuar mijëra llogari për të ndikuar në diskutimet online.
Rama e lidhi këtë situatë me një sulm të koordinuar nga një forcë që, sipas tij, ishte shpallur organizatë terroriste nga presidenti amerikan.
20 tetor 2026 – Protestuesit cilësohen si ekstremistë dhe të lidhur me Rusinë e Iranin
Në deklaratat e kësaj periudhe, Rama i përshkroi disa prej të rinjve të përfshirë në protesta si persona të lidhur me ekstremizmin dhe shërbime të huaja.
Kryeministri i cilësoi protestuesit si të lidhur me Rusinë, Iranin dhe lëvizjen Antifa, pa paraqitur prova konkrete publike për këto pretendime.
Ai paralajmëroi gjithashtu se personat që merrnin pjesë në manifestime të dhunshme do të konsideroheshin objekt i Policisë së Shtetit, edhe nëse pretendonin se nuk kishin ushtruar vetë dhunë.
23 tetor 2026 – “Rrjeti Antifa”, “terrori urban” dhe financimi nga krimi i organizuar
Në një komunikim të gjatë publik, Rama bëri disa nga akuzat më të rënda ndaj protestuesve.
Ai deklaroi se protesta ishte ndikuar që në fillim nga forca të tjera dhe se përshkallëzimi i dhunës ishte përgatitur prej muajsh.
Kryeministri pretendoi se Policia e Shtetit kishte të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive përmes doganave.
Ai foli për organizimin e grupeve si pjesë e rrjetit Antifa, të cilin e përshkroi si:
“Rrjeti i terrorit urban që në emër të neokomunizmit, anarkisë edhe anti-kapitalizmit ka vendosur të futet në jetën e njerëzve përmes dhunës”.
Më tej, Rama deklaroi:
“Një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë [është] financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para të ardhura nga jashtë”.
Ai akuzoi gjithashtu Partinë Demokratike për autorësinë e nisjes së dhunës pranë Ministrisë së Arsimit.
Në të njëjtën deklaratë, Rama përdori edhe cilësime të tjera:
* “Terror psikologjik”.
* “Ekranet e korruptuara”.
* “Një botë e zymtë, e errët dhe e jashtëligjshme”.
Ai këmbënguli se personat e ndaluar nga policia për aktet e dhunës nuk përfaqësonin studentët.
24 tetor 2026 – “Të radikalizuar nga Antifa” dhe “kriminelë të maskuar si studentë”
Një ditë pas komunikimit të tij të gjatë, Rama përsëriti akuzat kundër personave të përfshirë në protestat e dhunshme.
Ai pretendoi se dhuna ishte shkaktuar nga persona të radikalizuar ideologjikisht, ekstremistë fetarë dhe individë të inkriminuar.
Në reagimin e tij, Rama i përshkroi këta persona si:
“Njerëz të radikalizuar nga Antifa dhe kriminelë të maskuar si studentë”.
Në një konferencë me ministrin e Brendshëm, ai pretendoi gjithashtu se pas elementëve të dhunshëm qëndronin krimi i organizuar dhe aktorë të huaj.
Ai foli edhe për persona që, sipas tij, ishin paguar për të nxitur përçarje fetare dhe për të destabilizuar vendin.

