Ligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit” do të vendosë edhe në Shqipëri detyrimet e parashikuara në kuadrin e Bashkimit Europian për riparimin e produkteve.
Jo më përdore dhe hidhe në kosh, ligji i ri detyron tregtarët të riparojnë
Në projektligjin e miratuar nga qeveria, parashikohet që, në vijim të kërkesës së konsumatorit, fabrikuesi duhet të riparojë mallrat, për të cilat kërkesat për riparueshmëri janë përcaktuar në aktet ligjore të Bashkimit Europian dhe që do të të renditen me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit të ri.
Riparimet duhet të kryhen falas ose kundrejt një tarife të arsyeshme dhe brenda një kohe të arsyeshme. Fabrikuesi mund t’i ofrojë konsumatorit huapërdorim të një malli zëvendësues, falas ose kundrejt një tarife të arsyeshme, deri në përfundimin e riparimit.
Në rastet kur riparimi është i pamundur, fabrikuesi mund t’i ofrojë konsumatorit një mall të rinovuar. Në rast se fabrikuesi i detyruar të riparojë mallin, ndodhet jashtë Bashkimit Evropian ose Republikës së Shqipërisë, detyrimin e tij duhet ta përmbushë përfaqësuesi i tij i autorizuar që ndodhet brenda këtij territori.
Në rast se fabrikuesi nuk ka përfaqësues të autorizuar brenda Bashkimit Europian ose Republikës së Shqipërisë, detyrimin e fabrikuesit e përmbush importuesi i mallit. Në rast se nuk ka importues, detyrimin e fabrikuesit e përmbush shpërndarësi (distributori) i mallit. Përfaqësuesi i autorizuar, importuesi dhe shpërndarësi mund ta nënkontraktojnë shërbimin e riparimit me qëllim përmbushjen e detyrimit të riparimit.
Fabrikuesit, që prodhojnë pjesët e këmbimit dhe veglat që përdoren për mallrat duhet t’i ofrojnë këto kundrejt një çmimi të arsyeshëm që nuk pengon riparimin.
Fabrikuesit, përfaqësuesit e tyre të autorizuar, importuesit ose distributorët, që kanë detyrimin për të kryer riparimin, duhet të sigurojnë që konsumatorët të kenë akses pa pagesë dhe nëpërmjet një faqeje interneti në informacionin lidhur me çmimet orientuese të aplikueshme për riparimet tipike të mallrave.
Ligji i ri do të ndalojë përdorimin e kushteve kontraktore ose teknika hardware apo software që pengojnë riparimin e mallrave, përveçse kur përligjet nga faktorë legjitimë dhe objektivë, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, sipas legjislacionit të Bashkimit Europian dhe atij të brendshëm.
Në veçanti, fabrikuesit nuk duhet t’i pengojnë riparuesit e pavarur të përdorin pjesë origjinale apo të përdorura këmbimi, pjesë të pajtueshme këmbimi dhe pjesë këmbimi të prodhuara me printim në 3D, kur këto pajtohen me kërkesat e legjislacionit të
Bashkimit Europian apo të brendshëm, të tilla si kërkesat për sigurinë e produktit, ose pajtohen me të drejtat e pronësisë intelektuale.
Projektligji gjithashtu u ndalon fabrikuesve të refuzojnë riparimin e mallrave, me arsyetimin e vetëm sepse është kryer një riparim i mëparshëm nga riparues ose persona të tjerë.
Konsumatorët kanë të drejtë ta kërkojnë riparimin nga cilido riparues i zgjedhur prej tyre.
Këshilli i Ministrave do të miratojë masa inkurajuese për tregtarët dhe konsumatorët që nxisin riparimin e mallrave, përdorimin e pjesëve zëvendësuese dhe shërbimeve të riparimit, me qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së produkteve dhe reduktimin e mbetjeve.

