Qytetarët në Shqipëri pritet të përfitojnë para mbrapsht për shishet dhe ambalazhet e përdorura të pijeve, duke i dorëzuar ato në pika të autorizuara grumbullimi. Skema parashikohet në një projektvendim të Ministrisë së Mjedisit, që synon krijimin e një sistemi depozitimi dhe kthimi të ambalazheve, të ngjashëm me modelet e zbatuara në disa vende europiane.
Ruani shishet…do merrni para! Ja kur vijnë makineritë e riciklimit në Shqipëri
Mekanizmi parashikon që konsumatorët, gjatë blerjes së një pijeje, të paguajnë edhe një shumë shtesë si depozitë për ambalazhin. Pas konsumimit, ata mund ta dorëzojnë shishen ose ambalazhin në një pikë kthimi dhe të marrin mbrapsht shumën e paguar. Për zbatimin e plotë të skemës është parashikuar një periudhë tranzitore deri më 31 dhjetor 2028.
Qëllimi i kësaj skeme është të nxisë qytetarët të kthejnë ambalazhet për riciklim, në vend që t’i hedhin ato bashkë me mbetjet e tjera.
Projektvendimi, i cili ndodhet në fazën e konsultimit publik, parashikon ngritjen e një infrastrukture të posaçme. Kjo do të përfshijë makineri automatike për pranimin e ambalazheve, sisteme elektronike identifikimi dhe etiketa për gjurmimin e tyre.
Megjithatë, disa detaje të rëndësishme mbeten ende për t’u përcaktuar. Mes tyre janë vlera e depozitës që do të paguajnë konsumatorët, llojet e ambalazheve që do të përfshihen në skemë dhe organizimi i pikave të grumbullimit.
Sipas projektvendimit, kostot për ngritjen dhe funksionimin e sistemit do të mbulohen nga sektori privat. Prodhuesit, importuesit dhe operatorët e tjerë ekonomikë do të financojnë pajisjet, grumbullimin, transportin dhe administrimin e depozitave.
Për zbatimin e plotë të skemës është parashikuar një periudhë tranzitore deri më 31 dhjetor 2028.
Deri në përfundimin e kësaj faze, sistemi mbetet në përgatitje dhe qytetarët nuk mund të përfitojnë ende rimbursim për dorëzimin e shisheve dhe ambalazheve të përdorura në Shqipëri.

