InfoNews.al ka siguruar dokumente zyrtare nga hetimi që po kryen Autoriteti i Konkurrencës ndaj disa bankave në Shqipëri, përfshirë Raiffeisen Bank, në lidhje me abuzime të mundshme në tregun e sigurimit të jetës për kreditë hipotekore dhe konsumatore.
Sipas këtyre dokumenteve zyrtare, Raiffeisen Bank SHA dyshohet se ka shkelur ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, duke kufizuar lirinë e zgjedhjes së klientëve dhe duke bashkëpunuar ekskluzivisht me një kompani sigurimi – Sigal Life – në pronësi të Avni Ponarit për sigurimin e jetës në disa rastet e kredive.

Kufizimi i konkurrencës dhe dëmtimi i interesave të klientëve
Bazuar në nenin 7 të Rregullores “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, bankat janë të detyruara të informojnë klientët që në fillim të kontratës për të gjitha garancitë dhe kontratat e sigurimit të jetës ose pronës, kur janë të aplikueshme. Kjo transparencë synon të mbrojë kredimarrësit dhe të garantojë se detyrimet ndaj bankës do të mbulohen në rast ngjarjesh të papritura.
Por nga hetimi rezulton se Raiffeisen Bank ka përzgjedhur vetëm Sigal Life si kompani partnere për sigurimin e jetës, duke e kufizuar klientin nga mundësia për të zgjedhur ofertën më të favorshme në treg.

Komisione të larta dhe dominim i tregut nga Sigal Life
Në dokumentet e siguruara nga InfoNews.al, theksohet se për kreditë konsumatore, komisioni i aplikuar ndaj Sigal Life është:
50% e primit të arkëtuar për “paketën standard të sigurimit”.
45% e primit të arkëtuar për “paketën ekstra”
Gjatë periudhës së hetuar, janë prerë rreth 39,000 polica sigurimi vetëm me Sigal Life, që përfaqëson 90% të tregut të sigurimit të jetës për të gjitha kreditë pranë Raiffeisen Bank. Kjo tregon një situatë të dominimit të njëanshëm të tregut dhe ngrit pyetje të forta për konkurrencën e ndershme.

Autoriteti i Konkurrencës reagon zyrtarisht
Pas publikimit të informacionit nga InfoNews.al, Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar zyrtarisht duke konfirmuar se me vendimin nr. 1171, datë 26.03.2025, është hapur një procedurë e thelluar hetimi në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës.
Hetimi nuk është i kufizuar vetëm te Raiffeisen Bank, por përfshin një numër të madh institucionesh financiare, si:
OTP Bank Albania Banka Kombëtare Tregtare Credins Bank Intesa SanPaolo Bank Albania Union Bank ProCredit Bank dhe të tjera, përfshirë edhe ndërmjetës financiarë si E-Business Solutions, Abi Broker Sigurimesh, etj.

Autoriteti thekson se procesi është në zhvillim e sipër dhe aktualisht nuk ka një vendim përfundimtar, por qëllimi është të verifikohet nëse ka pasur praktika që kufizojnë konkurrencën dhe cenojnë lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve.
Në vijim, InfoNews.al do të publikojë detaje të tjera nga dokumentet zyrtare që ka siguruar, si dhe zhvillimet më të fundit mbi këtë hetim që mund të ketë ndikime të rëndësishme në sektorin bankar dhe atë të sigurimeve në Shqipëri.
©Copyright InfoNews.al
Ky artikull është ekskluziv i InfoNews.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar InfoNews.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
