Edi Rama ka përjashtuar çdo mundësi të dorëheqjes, pavarësisht protestave të dhunshme që kanë ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit. Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama theksoi se kushdo është i lirë të kërkojë largimin e tij si pjesë e jetës demokratike, por askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë përmes dhunës.
Kryeministri bëri një vijë të qartë ndarëse midis kërkesave legjitime të të rinjve dhe akteve të dhunës gjatë protestave:
Pretendimet e të rinjve: Rama pranoi se shqetësimet e studentëve lidhur me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të drejta dhe kërkojnë përgjigje. Ai shtoi se buxheti i vitit 2027 do të përfshijë masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët, ndërsa ka përsëritur ftesën për dialog të hapur.
Grupet e dhunës: Nga ana tjetër, ai denoncoi individët me kapuç, duke i lidhur disa prej tyre me lëvizjen “Antifa”, të cilët sipas tij hedhin kokteje molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe shkaktojnë dëme. “Një pakicë beson se t’i vësh flakën vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes direkte nëse ka ndërmend të japë dorëheqjen, kryeministri ishte i prerë:
“Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë përmes zgjedhjeve, jo përmes koktejeve molotov. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta përmbush atë.”
Edi Rama për “K”: “Nuk po jap dorëheqjen – Një pakicë po i vë flakën vendit”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka thënë gazetës “K” se dëshiron të mbetet në krye të vendit, pavarësisht protestave të dhunshme të javëve të fundit në Tiranë. Ai bën dallimin midis studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe protestuesve me kapuçë, përfshirë njerëz të lidhur me lëvizjen Antifa, thotë ai. “Një pakicë beson se vënia e vendit në zjarr është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, thotë zoti Rama.
Cila është përgjigjja juaj ndaj kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?
Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë mirë. Nuk besoj se të rinjtë duhet ta pranojnë thjesht atë që kemi arritur deri më tani. Shqetësimet e tyre në lidhje me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të vlefshme dhe kërkojnë përgjigje thelbësore. Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta paraqesim së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Në të njëjtën kohë, i kam ftuar studentët dhe mësuesit në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, madje edhe ato që vijnë nga kritikët tanë më të ashpër.
Megjithatë, ekziston një vijë e qartë ndarëse midis studentëve që duan një të ardhme më të mirë dhe grupeve të mbuluara me kapuçë – përfshirë njerëz që i kam lidhur me lëvizjen Antifa – të cilët hedhin kokteje Molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë pronën private. Luftimi i korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të Drejtësisë. Nuk është puna e atyre që përdorin dhunën si mjet për të pretenduar se përfaqësojnë një brez të tërë.
A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?
Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve, jo me kokteje molotovi. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta zbatoj atë. Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e vlefshme, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë nuk do të devijoj nga kjo detyrë sepse një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.
